• e shtunë, 23 nëntor 2024

Filloi seanca konstitutive për përbërjen e re parlamentare

Filloi seanca konstitutive për përbërjen e re parlamentare

Shkup, 28 maj 2024 (MIA) - Filloi mbledhja konstitutive e përbërjes së re parlamentare. Seancën e kryeson deputetja më e vjetër Merita Kolçi Koxhaxhiku.

Në rendin e ditës të seancës janë përzgjedhja e Komisionit Verifikues, Verifikimi i mandateve të deputetëve të rinj, përzgjedhja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, si dhe përzgjedhja e Kryetarit të Kuvendit.

Seanca konstituive, sipas Rregullores së re, zgjat maksimum tri ditë dhe Kuvendi konstituohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas njoftimeve për kryetar të Kuvendit do të propozohet Afrim Gashi nga Alternativa, pjesë e koalicionit VLEN.

Kuvendi do të ketë 120 deputetë, por në seancë pritet të marrin pjesë vetëm 118 për shkak se mandatet e tyre tashmë janë konfirmuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe atyre u janë lëshuar certifikatat. Procedurat e ankimimit janë ende në vazhdim për dy mandate që u rivotuan të mërkurën e kaluar.

Në përbërjen e re parlamentare koalicioni "Maqedonia juaj" e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja ka më së shumti deputetë - 58, koalicioni “Për një të ardhme evropiane” të udhëhequr nga LSDM-ja ka 18 deputetë, koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI-ja ka po aq deputetë 18, koalicioni “Vlen” ka 14, “E majta” gjashtë dhe “ZNAM” gjashtë deputetë.

Procedurat e ankimimit për rivotimin e fundit në fshatin Llërcë të Zhelinës janë ende në vazhdim dhe nuk dihet nëse “Vlen” do ta mbajë këtë mandat. Për shkak të kandidimit për kryetar të Kuvendit, Afrim Gashi ka dhënë dorëheqje nga posti drejtues në Alternativa, e cila është pjesë e Koalicionit “Vlen”. Bilal Kasami, kryetari i Lëvizjes BESA, pjesë e këtij koalicioni dhe kryetar i Komunës së Tetovës, nga ana tjetër ka hequr dorë nga mandati i deputetit dhe ka kërkuar që në seancën e sotme të mos verifikohet.

Me këtë përbërje parlamentare fillon zbatimi i Rregullores së re të punës në Kuvend. fc/

Fotografia: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR