• e hënë, 23 dhjetor 2024

Filloi procedura kuvendore për ndryshimet e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale

Filloi procedura kuvendore për ndryshimet e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale

Shkup, 11 shtator 2024 (MIA) - Kuvendi sot gjatë vërtetimit të rendit të ditës në seancën e 14-të me 69 vota "pro", 17 "kundër" dhe asnjë abstenim, pranoi me procedurë të shkurtuar të miratohet Propozim-ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Për ndryshimet ligjore procedura do të vazhdojë në Komisionin për Vetëqeverisje Lokale dhe Komisionin Juridik-Ligjvënës, ndërsa për t'u votuar nevojitet shumicë prej dy të tretash.

Me ndryshimet e propozuara parashikohet që u.d. kryetarët e komunave ku me ligj u është ndërprerë mandati kryetarëve të zgjedhur të komunave të mund ta kryejnë këtë funksion deri në zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm të komunës. Pas zgjedhjeve parlamentare në vend dhe zgjedhjes për ministra dhe deputetë, u.d. kryetarë të komunave ka në Aerodrom, Gostivar dhe Saraj.

Koordinatori i VMRO-DPMNE-së dhe njëri nga propozuesit e ligjit Nikolla Macevski tha se ndryshimet ligjore duhet të mundësojnë të mos ketë zgjedhje për kryetar të ri të komunës deri në zgjedhjet e ardhshme nëse ka më pak se 12 muaj. Bëhet fjalë, theksoi, për zgjidhje kalimtare që do të vlejë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale në tetor të vitit të ardhshëm.

"Me nenin 4 rregullohet zgjidhja kalimtare për procedurën e shpalljes së zgjedhjeve të reja për kryetar komune, për shkak të paraqitjes së njërit prej rasteve të ndërprerjes së mandatit të kryetarit me fuqinë e ligjit deri në mbajtjen e zgjedhjeve të para të rregullta për anëtarë të këshillave të komunave dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit, për zgjedhjen e kryetarit të komunës dhe kryetarit të qytetit të Shkupit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Duke pasur parasysh se deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja vendore kanë mbetur më pak se 12 muaj dhe duke u nisur nga parimi i ekonomisë dhe situatës ekonomike në vend, si dhe afati i shkurtër për organizimin e këtyre zgjedhjeve, e më pas vijnë  edhe zgjedhjet e rregullta lokale, zgjidhjet e vazhduara ligjore me qëllim të arrijnë qëllimin për të cilin është propozuar ligji - që të mos ketë ndryshime dhe këta kandidatë për kryetarë të komunave të mbeten deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale", tha Micevski, përveç të cilit propozues të ligjit janë edhe deputetët Halil Snopçe dhe Boban Karapejovski.

Në rendin e ditës të seancës së 14-të, sipas procedurës së shkurtuar, janë propozuar ligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele dhe Ligjit për media, të cilat janë harmonizuar me Ligjin për organizimin dhe punën e Organeve të administratës shtetërore.

Deputetët dhanë mbështetjen e tyre, me procedurë të shkurtuar, për miratimin e propozim-ligjeve për ndryshimin e Ligjit për lëndën arkivore, Ligjit për përdorimin e të dhënave nga sektori publik dhe Ligjit për ndihmë juridike falas. Pas procedurës së shkurtuar, janë propozuar ndryshime në Ligjin për themelimin e Komisionit Shtetëror për vendimmarrje në shkallë të dytë në fushën e mbikëqyrjes inspektuese dhe të procedurës kundërvajtëse, si dhe në Ligjin për themelimin e Komisionit shtetëror për vendim-marrje në  procedurë administrativ dhe procedurë nga marrëdhënia e punës në shkallë të dytë, me të cilat bashkohen dy komisionet, duke ulur kështu numrin e deputetëve dhe të emëruar dhe duke thjeshtuar sistemin e vendosjes për ankesat.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dha një orë pauzë, gjatë debatit për propozimin me procedurë të shkurtuar të miratohet projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa i propozuar nga deputetja e LSDM-së Slavjanka Petrovska.

Deputeti Adnan Azizi kërkoi të largohet nga rendi i ditës pasi sipas tij është tendencioz. Në emër të grupit parlamentar të VLEN-it, ai paralajmëroi tërheqjen e ligjit të propozuar nga rendi i ditës, duke bërë të ditur se nuk do të votojnë dhe do të largohen demonstrativisht nga seanca.

"Jemi dëshmitarë të një propozimi tendencioz që provokon një situatë të padëshirueshme për qytetarët tanë nga një ish-ministre, e cila i përket një subjekti që ka qenë në pushtet për tetë vjet dhe ai ligj as nuk është propozuar e as nuk është miratuar”, tha Azizi.

Pauza është dhënë me kërkesë të deputetit të së Majtës, Dimitar Apasiev. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR