Fillkovi: Ligji për Këshillin Gjyqësor pres të jetë në procedurë parlamentare deri në fund të këtij muaji
- Ministria e Drejtësisë gjatë ditës do të mbajë një takim onlajn me Komisionin e Venecias për Ligjin për Këshillin Gjyqësor, i cili u është dorëzuar për mendim, informoi ministri i Drejtësisë Igor Fillkovi, duke theksuar se pret që ky ligj të jetë në procedurë parlamentare deri në fund të këtij muaji.
Shkup, 13 qershor 2025 (MIA) - Ministria e Drejtësisë gjatë ditës do të mbajë një takim onlajn me Komisionin e Venecias për Ligjin për Këshillin Gjyqësor, i cili u është dorëzuar për mendim, informoi ministri i Drejtësisë Igor Fillkovi, duke theksuar se pret që ky ligj të jetë në procedurë parlamentare deri në fund të këtij muaji.
Ministri i Drejtësisë Igor Fillkovi, në brifingun e sotëm me mediat mbi ligjet nga Agjenda e Reformave, shpjegoi se mendimet e Komisionit të Venecias do të shqyrtohen në detaje dhe do të merren parasysh, megjithëse nuk janë të karakterit detyrues.
Risitë kryesore të kësaj zgjidhjeje ligjore, siç u theksua, bazohen në udhëzimet e Misionit të Vlerësimit dhe rregullojnë procedurën për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, specifikohen kushtet që duhet t'i përmbushin kandidatët për anëtarë, veçanërisht termin "jurist i shquar", ndërsa bën edhe forcimin e publikut dhe transparencën e procedurës për përzgjedhjen e anëtarëve jo gjyqësorë, si dhe forcimin e legjitimitetit të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve nga radhët e gjykatësve.
Ministria e Drejtësisë që nga nëntori i vitit të kaluar, ka organizuar disa debate ekspertësh mbi Draft ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Këshillin Gjyqësor për konsultim me publikun ekspert. Përfundimet dhe rekomandimet nga këto debate shërbejnë më pas si bazë për përmirësimin e mëtejshëm të tekstit dhe zgjidhjen përfundimtare të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Këshillin Gjyqësor.
Foto: Arkivi i MIA-s