• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Filipçe: Rruga evropiane duhet të mbetet prioritet, çdo prolongim është një hap prapa

Filipçe: Rruga evropiane duhet të mbetet prioritet, çdo prolongim është një hap prapa

Shkup, 19 tetor 2024 (MIA) - Qeveria aktuale nuk ka strategji të qartë se çfarë do të bëjë më tutje, cilat janë hapat e ardhshëm dhe nëse ka vullnet politik për vazhdimin e procesit integrues. Çdo vonesë në hapjen e kapitujve është një hap prapa. LSDM-ja mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe do të vazhdojë të veprojë në mënyrë konstruktive në lidhje me këtë çështje, deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në takimin me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas.

Siç bën të ditur LSDM, në fokus të bisedës ka qenë procesi i integrimit evropian, respektivisht rëndësia që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj evropiane, si dhe nevoja për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt hapjes së kapitujve të negociatave me BE-në.

Në takim është theksuar se integrimi i vendit është çështje e interesit kombëtar dhe çdo prolongim në përmbushjen e kushteve të kornizës së negociatave është një hap prapa për të ardhmen e qytetarëve.

Siç theksohet në kumtesë, kryetari i LSDM-së, Filipçe ka shprehur shqetësimin për politikat e pushtetit aktual në lidhje me procesin e integrimeve evropiane i cili siç ka thënë për momentin, pas ndarjes nga Shqipëria është bllokuar. LSDM-ja si parti do të mbështesë çdo proces që do ta afrojë vendin me BE-në.

"Ajo që shqetëson është fakti se qeveria aktuale nuk ka një strategji të qartë se si më tej, cilat janë hapat e mëtejshëm dhe nëse ka vullnet politik për të vazhduar procesin integrues. Çdo prolongim në hapjen e kapitujve është në fakt një hap prapa. LSDM-ja mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe do të vazhdojë të veprojë në mënyrë konstruktive në lidhje me këtë çështje", ka thënë Filipçe.

Ambasadori Rokas ka konfirmuar mbështetjen e BE-së për integrimin e shtetit si dhe qëndrimin pozitiv të BE-së për zgjerimin e Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në takim është theksuar rëndësia e Planit për Rritje të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si mbështetje konkrete financiare për afrimin e ekonomisë së vendit me nivelin e ekonomive të vendeve evropiane dhe që është jashtëzakonisht e rëndësishme në forcimin e kapaciteteve për BE-në të vendeve të rajonit.

Filipçe dhe Rokas u dakorduan se është e nevojshme që shteti të vazhdojë reformat dhe të fokusohet në përmbushjen e kushteve të rëndësishme për anëtarësim në BE, duke theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi do të mbeten kyç për të ardhmen evropiane të vendit.

FOTO: LSDM

 

QËNDRONI TË LIDHUR