Fetai dhe ambasadori Meidani shpërndanë libra për nxënësit shqiptarë në Kumanovë
- Me rastin e Ditës botërore të librit, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut i ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai së bashku me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Shkup Denion Meidani, morën pjesë në një aktivitet festiv për shpërndarjen e librave për nxënësit e vitit të parë në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe Shkollën Teknike “Nace Bugjoni” në Kumanovë.
- Post By Fami Bajrami
- 15:51, 23 prill, 2025

Shkup, 23 prill 2025 (MIA)- Me rastin e Ditës botërore të librit, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut i ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai së bashku me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Shkup Denion Meidani, morën pjesë në një aktivitet festiv për shpërndarjen e librave për nxënësit e vitit të parë në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe Shkollën Teknike “Nace Bugjoni” në Kumanovë.
Ky aktivitet është pjesë e një nisme më të gjerë të ndërmarrë në bashkëpunim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, përmes së cilës janë siguruar 4,200 libra të letërsisë botërore. Donacioni synon që çdo nxënës i vitit të parë në shkollat e mesme me mësim në gjuhën shqipe në të gjithë vendin të pajiset me nga një libër.
Kjo nismë ka për qëllim nxitjen e kulturës së leximit, pasurimin e bibliotekave shkollore dhe zhvillimin e mendimit kritik dhe kreativitetit te të rinjtë shqiptarë.
Zëvendëskryeministri Fetai falënderoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si dhe Byronë për Zhvillimin e Arsimit, me theks të veçantë për zëvendësdrejtoreshën Shpresa Selimi, për mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për formësimin intelektual të gjeneratave të reja.
Aktivitetet e shpërndarjes së librave do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në shkolla të tjera në nivel vendi, në kuadër të kësaj nisme gjithëpërfshirëse për fuqizimin e edukimit dhe kulturës ndërmjet të rinjve shqiptarë.