• e martë, 17 dhjetor 2024

Federata e futbollit të Kosovës: Futbollistët tanë mbrojtën dinjitetin e shtetit, do të ankohemi në UEFA

Federata e futbollit të Kosovës: Futbollistët tanë mbrojtën dinjitetin e shtetit, do të ankohemi në UEFA

Prishtinë, 16 nëntor 2024 (MIA)- Federata e Futbollit të Kosovës ka dënuar sjelljet raciste që kanë ndodhur gjatë ndeshjes së mbrëmshme ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht në kuadër të Ligës së kombeve.

Ndeshja u ndërpre në minutat shtesë, pas thirrjeve të vazhdueshme raciste dhe anti-Kosovë nga tifozët rumunë. FFK-ja në reagimin e sotëm ka thënë se veprimet e tifozëve rumunë krijuan atmosferë të pasigurt për lojtarët e Kosovës.

“Thirrjet si ‘Kosovo is Serbia’ dhe ‘Serbia, Serbia’, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurt për lojtarët tanë”, thuhet në reagim.

FFK-ja ka thënë se e ka paralajmëruar dy herë UEFA-n për mundësinë e këtyre veprimeve, ndërsa situata u përshkallëzua kur tifozët refuzuan të ndalin thirrjet raciste.

“Pavarësisht përpjekjeve të trajnerit tonë, z.Foda, për të arritur që ndeshja të luhet dhe të eliminohen veprimet e tilla nga tifozët rumunë, prapëseprapë edhe gjatë ndërprerjes sjelljet raciste vazhduan. Në një situatë të tillë lojtarët zgjodhën me të drejtë të respektojnë rregulloret kundër racizmit të UEFA-s dhe të mbrojnë dinjitetin e shtetit të Kosovës, si një anëtar i barabartë i UEFA-s dhe FIFA-s”, thuhet në kumtesë.

FFK-ja ka akuzuar për mungesë sigurie edhe organizatorët duke thënë se një zyrtar rumun ndërhyri në konferencën për shtyp të Kombëtares së Kosovës, duke larguar gazetarët dhe më pas kërcënoi dhe sulmoi një lojtar të Kosovës në korridoret e stadiumit.

“Kjo sjellje e turpshme dhe e papranueshme çoi në reagimin e menjëhershëm të përfaqësuesve të FFK-së”, thuhet në kumtesën e FFK-së.

FFK-ja ka njoftuar se për shkeljet ka raportuar tek delegati i ndeshjes dhe e ka nisur përgatitjen e ankesës së plotë për në UEFA.

“Ne besojmë se UEFA do të veprojë në përputhje me vlerat e saj themelore për të dënuar ashpër gjuhën raciste dhe veprimet e tjera të papranueshme që ndodhën gjatë kësaj ndeshje. FFK riafirmon angazhimin e saj për të mbrojtur dinjitetin e Kombëtares së Kosovës dhe vlerat e futbollit, por edhe parimet e UEFA-s e FIFA-s për futboll pa politikë dhe respektim të ‘fair-play’-it, si një lojë që duhet të bashkojë dhe jo të ndajë. Racizmi dhe diskriminimi nuk kanë vend në sport dhe as në shoqërinë tonë”, theksohet në komunikatën e FFK-së.

Ndeshja deri në momentin e ndërprerjes ishte dominuar nga “Dardanët” ku rezultati ishte 0 me 0.

 

QËNDRONI TË LIDHUR