Familjet e viktimave nga Spitali modular në Tetovë nga Prokuroria kërkojnë rifillim të hetimit
- Përfaqësues të familjeve të viktimave nga tragjedia në Spitalin modular në Tetovë para Gjykatës themelore Tetovë kanë mbajtur konferencë për shtyp, ku theksuan se i bashkangjiten letrës publike nga Iniciativa Zero deri te prokurori publik shtetëror, Lupço Kocevski.
- Post By Besnik Shuki
- 12:18, 3 prill, 2025

Tetovë, 3 prill 2025 (MIA) - Përfaqësues të familjeve të viktimave nga tragjedia në Spitalin modular në Tetovë para Gjykatës themelore Tetovë kanë mbajtur konferencë për shtyp, ku theksuan se i bashkangjiten letrës publike nga Iniciativa Zero deri te prokurori publik shtetëror, Lupço Kocevski.
Sipas përfaqësuesve të familjeve, ekzistojnë prova serioze, për të cilat konsiderojnë se Prokuroria i ka hedhur posht në procedurën e deritanishme para gjykatës në Tetovë.
"Tërë opinioni e di se ka prova serioze për lëshime gjatë ndërtimit të spitalit modular, që mund të jenë shkaktarët e vetëm për zjarrin. Kjo u vërtetua edhe nga ekspertiza gjermane – prova të pavarura dhe të besueshme që për fat të keq janë hedhur posht nga prokuroria. Prandaj, i nderuar Lupço, si bashkëqytetar i ynë nga Tetova, Ju më së miri e kuptoni dhimbjen dhe mllefin e familjeve të viktimave dhe të gjithë komunitetit. Kjo nuk është vetëm një çështje ligjore. Ky është obligim moral - ndaj atyre që humbëm, por edhe ndaj të gjithë qytetarëve që sot jetojnë me frikë se kjo mund të përsëritet dhe askush nuk do të mbajë përgjegjësi”, theksoi Agron Arifi nga Inicitiva në emër të familjeve të viktimave.
Familjet e 14-të viktimave kërkojnë nga Prokuroria ta rifillojë hetimin, për, siç thonë, fajtorët e vërtetë të zjarrit në spitalin modular në Tetovë.
"Është koha që dikush të marrë përgjegjësi. Koha është që drejtësia të dalë nga sirtari. Si familje të viktimave, kërkojmë nga Ju: - Të formoni një ekip të pavarur, i cili do të shqyrtojë të gjitha aspektet e çështjes, përfshirë edhe zvarritjen e mundshme të procedurës. Të garantoni se procedurat gjyqësore të zhvillohen pa ndikim politik apo biznes. Të siguroni transparencë dhe llogaridhënie në punën tuaj, në përputhje me detyrimet ligjore. Ta merrni ekspertizën gjermane si provë kyçe në hetim. Ne nuk do të heshtim. Ne do të vazhdojmë të flasim për më të afërmit tanë që kemi humbur, për të vërtetën, për drejtësinë që u premtua, por asnjëherë u zbatua", theksoi Arifi.
Nga ora 10 sot në Gjykatën themelore Tetovë vazhdoi procedura dëshmuese në kuadër të gjykimit të sërishëm për zjarrin në Spitalin modular, ku janë dyshuar dy ish drejtorë të spitalit dhe Institucionit shëndetësor publik - Spitali klinik Tetovë, si persona juridik. bsh/
Foto: MIA