Familja e Shumaherit paralajmëron padi për kinse “intervistë” të tij gjeneruar përmes inteligjencës artificiale
- Familja e Mihael Shumaherit ka paralajmëruar procedurë ligjore kundër javores gjermane për shkak të një "interviste" të supozuar me kampionin legjendar të Formula 1, gjeneruar përmes inteligjencës artificiale (AI).
- Post By Qefsere Abduli
- 18:22, 20 prill, 2023
Munih, 20 prill 2023 (MIA) - Familja e Mihael Shumaherit ka paralajmëruar procedurë ligjore kundër javores gjermane për shkak të një "interviste" të supozuar me kampionin legjendar të Formula 1, gjeneruar përmes inteligjencës artificiale (AI).
I njohur me nofkën "Shumi", ai nuk është parë në publik që kur pësoi një dëmtim të rëndë të trurit në një aksident me ski në një pushim familjar në Alpet franceze në dhjetor të vitit 2013. Që atëherë, familja e ka ruajtur privatësinë e tij dhe vetëm ata që janë më të afërt kanë qasje deri te Shumaheri. Për gjendjen e tij po jepet pak informacione.
Në gazetën “Di Aktuele“ (Die Aktuelle), në ballinën e saj është shfaqur një foto e kampionit të shtatëfishtë të Ferrarit duke buzëqeshur dhe një titull premtues - "Mihael Shumaher, intervista e parë", duke theksuar se "tingëllon reale".
Doli se citatet janë gjeneruar nga AI.
Në një dokumentar të vitit 2021, gruaja e Mihael - Korina Shumaher theksoi se ata jetojnë bashkë në shtëpi, se ai shkon në terapi dhe se bëjnë gjithçka për ta bërë jetën e tij më të mirë dhe më të rehatshme.
"Po përpiqemi të vazhdojmë si familje, ashtu siç dëshiron Mihael. Edhe ne vazhdojmë me jetën tonë. Privatësia është privatësi, siç thoshte gjithmonë. Për mua është shumë me rëndësi që ai të vazhdojë ta shijojë sa më shumë jetën e tij private. Mihael na ka mbrojtur gjithmonë, kështu që tani ne e mbrojmë Mihaelin", deklaroi Korina.
Djali i Shumaherit- Mik tani është një shofer rezervë në Formula 1 për ekipin e Mercedesit, pasi vitin e kaluar humbi vendin e tij në ekipin e konstruktorëve Haas. qa/