Evakuohet me sukses alpinisti i lënduar në gurishten e Pelisterit
- Ekipi i shpëtimit i udhëhequr nga udhëheqësi Petar Nolev ka kryer evakuim të suksesshëm të alpinistit të lënduar i cili në mëngjes u lëndua në gurishten e malit Baba nën majën e Pelisterit.
- Post By Sara Ademi
- 13:30, 20 korrik, 2025
Manastir, 20 korrik 2025 (MIA) - Ekipi i shpëtimit i udhëhequr nga udhëheqësi Petar Nolev ka kryer evakuim të suksesshëm të alpinistit të lënduar i cili në mëngjes u lëndua në gurishten e malit Baba nën majën e Pelisterit.
Në një deklaratë për MIA-n, udhëheqësi i ekipit të shpëtimit Petar Nolev, tha se aksioni ishte i shpejtë dhe i kryer në mënyrë profesionale, pasi ishte aktivizuar ekipi për mbrojtje të pyjeve i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
"Ne e realizuam operacionin e shpëtimit, pra evakuimin e alpinistit maqedonas të moshës së mesme, në bashkëpunim me ekipin tonë prej katër anëtarësh të trajnuar për shpëtimin e njerëzve në male dhe me mbështetjen e profesionistëve nga Institucioni Publik i Parkut Kombëtar "Pelister", Qendra për Menaxhimin e Krizave dhe nëpunës të policisë nga MPB. E lokalizuam alpinistin e lënduar pranë shkëmbit, në një terren jashtëzakonisht të vështirë. Operacioni zgjati më shumë se një orë dhe përfundoi me sukses, ndërsa alpinisti u transportua me helikopter në Manastir, dhe më pas në një institucion shëndetësor për ndihmë mjekësore", theksoi Nolev.
Siç njoftoi paraprakisht MIA, në mëngjes në Pelister u lëndua një alpinist i Maqedonisë, i cili ka kërkuar ndihmë të cilën Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e siguroi me angazhim të drejtpërdrejtë dhe me mbështetje të helikopterit policor dhe specialistëve të forcave policore Tigrat. sa/
Foto: MIA