Eurodeputetja kroate inicion debat në PE për çmimet e larta të ushqimit në Evropën Lindore
- Eurodeputetja kroate Biljana Borzan ka iniciuar debat në Komisionin për tregun e brendshëm dhe mbrojtjen e konsumatorit pranë Parlamentit Evropian, me fokus çmimet rekord të larta të ushqimeve në Evropën Lindore, raporton HINA.
- Post By Fami Bajrami
- 18:43, 17 korrik, 2025
Bruksel, 17 korrik 2025 (MIA) – Eurodeputetja kroate Biljana Borzan ka iniciuar debat në Komisionin për tregun e brendshëm dhe mbrojtjen e konsumatorit pranë Parlamentit Evropian, me fokus çmimet rekord të larta të ushqimeve në Evropën Lindore, raporton HINA.
"Sipas Eurobarometrit më të fundit, shumica e qytetarëve të BE-së e konsiderojnë inflacionin dhe varfërinë si problemin më të madh. Kjo është veçanërisht e theksuar në vendet e Evropës Lindore, ku rritjet e çmimeve të ushqimeve janë më të larta. Me çmimin aktual prej 10 vezësh në Poloni, katër vite më parë mund të bliheshin 18 vezë, ndërsa në Sllovaki deri në 24. Çmimi i bukës është rritur për 170 për qind në Hungari, për 122 për qind në Bullgari dhe 65 për qind në Kroaci në katër vitet e fundit. Në vendet baltike çmimet e mishit janë rritur deri në 50 për qind, ndërsa në vendet perëndimore rritja e çmimeve është kryesisht nën 20 për qind", tha Borzan.
Në debat morën pjesë përfaqësues nga Komisioni Evropian (KE), Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë pranë KB-së (FAO).
Ekspertë nga BQE dhe KE theksuan se pavarësisht rënies së inflacionit, çmimet e ushqimeve mbeten të larta. Sipas një ankete të realizuar nga Borzan, 56.4% e qytetarëve kroatë blejnë më pak ushqime për shkak të inflacionit dhe shumë prej tyre po kthehen drejt produkteve me cilësi më të ulët.
"Gjatë debatit, shumë veta fajësuan korporatat e mëdha multinacionale të ushqimit, 11 prej të cilave kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut. Midis tyre janë kompanitë si 'Nestle', 'Unilever', 'Prokter dhe Gembl", "PepsiKo" dhe "Mars" të cilat posedojnë qindra marka të njohura pa e kuptuar ne. Ato jo vetëm që përcaktojnë çmimet, por edhe sasinë dhe cilësinë e produkteve të disponueshme në vende të caktuara, duke nxitur qëllimisht rritjen e çmimeve. Për shembull, një shishe 'Koka-kolë’ kushton 1.89 euro në Gjermani, ndërsa në Luksemburg për shkak të kufizimeve territoriale e njëjta shishe kushton 2.89 euro. Në Evropën Lindore, pavarësisht standardit të jetesës dukshëm më të ulët, çmimet janë të njëjta ose më të larta se në Perëndim", shtoi Borzan.
Foto: arkivi