• e mërkurë, 25 shtator 2024

Durmishi në konferencë në Berlin: Veprimi i koordinuar politik mund ta përmirësojë peisazhin ekonomik të Ballkanit Perëndimor

Durmishi në konferencë në Berlin: Veprimi i koordinuar politik mund ta përmirësojë peisazhin ekonomik të Ballkanit Perëndimor

Shkup, 24 shtator 2024 (MIA) – Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi sot ka marrë pjesë në konferencën e ministrave të Ekonomisë në kuadër të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Berlin.

Siç bënë të ditur nga Ministria e Ekonomisë, ministrat e ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në forumin e biznesit diskutuan në temën “10 vjet Proces i Berlinit - Ballkani Perëndimor si zonë ekonomike në rrugën e BE-së”.

Duke e shënuar dhjetëvjetorin e ekzistimit të Procesit të Berlinit, në konferencë ishte theksuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor jeton moment historik lidhur me perspektivën e tij evropiane, ndërsa pikërisht kjo nismë mund të arrijë sinergji të përpjekjeve individuale të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si mekanizëm për përgatitje për anëtarësim drejt BE-së.

Gjatë sesionit kushtuar Tregut të përbashkët rajonal në drejtim të 10 viteve të Procesit të Berlinit, ministri Durmishi theksoi se janë tre çështje kritike në marrëdhëniet ekonomike midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që kërkojnë vëmendje politike, e ky është zhvillimi i infrastrukturës, barrierat tregtare dhe integrimi ekonomik, sundimi i së drejtës dhe korrupsioni. 

"Zgjidhja e këtyre çështjeve përmes veprimit të koordinuar politik mund të përmirësojë ndjeshëm peisazhin ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe të përshpejtojë procesin e tyre të integrimit në BE", theksoi ministri Durmishi.

Ai foli edhe për perspektivat për rritje ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe theksoi se rajoni ka predispozita për rritje më të madhe ekonomike, por edhe shumë sfida.

"Rajoni ka popullsi të re dhe burime të bollshme natyrore, të cilat ofrojnë mundësi në sektorë të tillë si bujqësia, turizmi dhe burime të ripërtërishme të energjisë. Përparimi drejt anëtarësimit në BE mund të përmirësojë stabilitetin ekonomik dhe të tërheqë investime, meqë e harmonizon rajonin me tregjet dhe standardet e BE-së. Për të tërhequr më shumë investime, ne duhet të forcojmë qeverisjen dhe sundimin e ligjit. Ne duhet të përmirësojmë infrastrukturën, duhet të përmirësojmë arsimin dhe zhvillimin e aftësive, të promovojmë stimuj specifikë për sektorë", theksoi Durmishi, bëhet e ditur në kumtesë.

Në konferencën në Berlin, morën pjesë edhe ministrat e Ekonomisë të Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës. 

Procesi i Berlinit ishte formuar në vitin 2014 si platformë për bashkëpunim në nivel të lartë mes përfaqësuesve të lartë zyrtarë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kolegëve të tyre në vendet nikoqire të Procesit të Berlinit. 

Procesi i përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet ndërkombëtare financiare dhe shoqërinë civile në rajon, Zyrën rajonale për bashkëpunim rinor RYCO dhe bizneset. fc/

Fotografia: Ministria e Ekonomisë


 

QËNDRONI TË LIDHUR