• e martë, 26 nëntor 2024

Dr. Tahir për MIA-n: Pacientët janë më së paku fajtorë për gjendjen tonë të palakmueshme në sistemin shoqëror

Dr. Tahir për MIA-n: Pacientët janë më së paku fajtorë për gjendjen tonë të palakmueshme në sistemin shoqëror

Shkup, 8 prill 2023 (MIA) - Para do kohë në vendin tonë u bënë operacionet e para laparoskopike për një kist ekinokoksik të mëlçisë, i njohur në popull si shirit i qenit. Operacionet janë kryer në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Sh. Naumi i Ohrit” – Shkup, në Repartin e kirurgjisë për fëmijë, ku janë operuar dy fëmijë të moshës 8 dhe 13 vjeçe.

Ekipi operativ u kryesua nga dr. Ilirjana Karanfili Shehu, udhëheqëse e Repartit të Kirurgjisë për Fëmijë dhe Dr. Shenol Tahir, kirurg digestiv në bashkëpunim me ekipin anesteziologjik dhe operativ. Për këtë lloj intervenimi kirurgjik biseduam me Dr. Shenollin, i cili na e sqaroi procedurën, përparësitë dhe çfarë do të paraqiste ajo për pacientët, të cilët përballen me këtë diagnozë.

Në intervistën për MIA-n, dr. Shenolli flet edhe për zhvillimin e karrierës së tij, për statusin e punëtorëve shëndetësorë në vend, por edhe për pakënaqësitë e qytetarëve nga mjekët dhe sistemi i gjithëmbarshëm shëndetësor.

"E dua profesionin tim. Dhe përpiqem ta ushtroj profesionalisht çdo ditë me të gjitha sfidat dhe vështirësitë dhe rreziqet që i sjellë. Pacientët janë më së paku fajtorë për gjendjen tonë të palakmueshme në sistemin shoqëror", shprehet dr. Shenolli në intervistën për MIA-n.

Ai shton se përderisa "ata që janë në pushtet vetëm në mënyrë proklamative, gjoja janë duke e rimëkëmbur shëndetësinë, ndërsa ata që janë në opozitë kur do të vinin në pushtet do ta rimëkëmbin të njëjtën, nuk do të arrijmë gjëkundi". Thekson se nevojitet strategji e qartë dhe e përbashkët, siç bën të ditur strategji kombëtare shëndetësore pushtet - opozitë, që duhet të bëhet në vitin e ardhshëm, për pesë, dhjetë, 20 dhe 30 vitet e ardhshme.

"Pranohen mjekë aty ku nuk duhet, ndërsa nuk pranohet personeli që mungon. Nuk ka programe të drejta për punësim, arsim adekuat, specializime etj. Gjithçka barazohet me punë spontane dhe përballje me situatat aktuale. Spitalet tona nuk janë të rinovuara, shumica e tyre janë shumë të vjetra, me mundësi të pamjaftueshme hapësinore. Diku me aparaturë të vjetër, diku me skajshmërisht të reja, të sofistikuara. Diku shpenzohet tepër, ndërsa janë nën pretekstin se shëndetësia është falas. Kështu që edhe të gjitha historitë e mira të punës së suksesshme janë kryesisht rezultat i individëve apo një grupi të vogël në spitale apo institucione të caktuara shëndetësore", shprehet dr. Shenolli për MIA-në.

Ai thekson se mungesa e rendit në sistemin i vë qytetarët në dyshim se gjërat nuk po bëhen si duhet.

"Është e vërtetë që ka gjithnjë e më shumë ankesa. Natyrisht, një pjesë mund të jenë ankesa të drejta, para së gjithash, në pjesën e mosorganizimit të sistemit shëndetësor. Gjithsesi, do tl duhet të reformohemi në të dyja drejtimet: ne vetë, punonjësit shëndetësor, e po ashtz edhe vetë qytetarët. Mungesa e rendit në sistemin i vë qytetarët në dyshim se gjërat nuk po funksionojnë siç duhet. Pohoj me përgjegjësi se në përputhje me shkallën ku janë vendosur punonjësit shëndetësorë në shtetin tonë, punohet madje edhe më shumë se mundësitë madje edhe në mbi 95 për qind të rasteve, profesionalisht dhe në përputhje me protokollet përkatëse. E, çdo përjashtim kur do të shfaqet, duhet të rishikohet dhe të ndërmerren masat përkatëse", thekson në intervistë dr. Shenolli.

Në vazhdim vijon intervista e plotë me dr. Shenoll Tahir:

Para do kohë në shtetin tonë u bënë operacionet e para laparoskopike për një kist ekinokoksik të mëlçisëtek fëmijët e moshës 8 dhe 13 vjeç. Cilat janë përfitimet e kësaj metode në raport me ndërhyrjet e derimëparshme dhe çfarë duhet të dinë pacientët që duhet t'i nënshtrohen ndërhyrjes së tillë?

- Sëmundja e ekinokokut është sëmundje endemike që gjendet më së shumti në rajone të njohura të botës, ndërsa në Evropë është më e përhapur në rajonet përreth Detit Mesdhe. Por sigurisht që duhet theksuar se me mënyrën moderne dhe të shpejtë të komunikimit dhe transportit sot, e njëjta mund të shfaqet në të gjitha anët e botës. Deri rreth dhjetë vjet më parë, metoda më e zakonshme e trajtimit kirurgjik të sëmundjes ekinokokale të mëlçisë, ishte ndërhyrja klasike operative, me hapje të zgavrës së barkut me prerje kirurgjikale të madhësive të ndryshme nga 10 deri në 25 centimetra dhe procedura përkatëse operative për heqjen e së njëjtës. Teknika operative laparoskopike mundëson me disa prerje të vogla, prerje të lëkurës, me gjatësi 0,5 deri në 1 centimetër, me instrumente të posaçme të hyhet në zgavrën e stomakut dhe të bëhen procedurat e nevojshme operative për të zgjidhur problemin e ekinokokut në mëlçi.

Në klinikën tonë kryhen operacione laparoskopike atje ku është e mundur edhe për sëmundjet tjera kirurgjikale abdominale.

Pacientët duhet të dinë se përfitimi për ta është i madh, para së gjithash, kohëzgjatja më e shkurtër e ndërhyrjes, më pak dhimbje postoperative, përqindje më e ulët e komplikimeve, shërim më i shpejtë dhe rikthim në aktivitetet normale të jetës. Por nga ana tjetër duhet theksuar se në disa pacientë dhe në rast të ekinokokut në segmente të caktuara të mëlçisë nuk mund të kryhet një ndërhyrje laparoskopike dhe tek ata duhet të kryhet një operacion klasik, i hapur. Sigurisht që te pacientët e moshës fëmijërore, kriteret për aplikimin e trajtimit laparoskopik janë pak më të veçanta për dallim nga pacientët e rritur, por, megjithatë, kjo teknikë laparoskopike mund të zbatohet edhe tek ata.

Të njëjtën gjë e bëjmë në bashkëpunim me specialistët e kirurgjisë së fëmijëve, udhëheqëse e së cilës është dr. Ilirijana Karanfili Shehu.

Si kirurg digjestiv, çfarë është gjëja më e vështirë për ju gjatë punës tuaj të përditshme?

- Sigurisht që të jesh kirurg, mbi të gjitha kirurg operativ, dua të them se nuk është punë e lehtë, sa është humane, po ashtu, është punë që kërkon angazhim maksimal 24 orë, e është më e e vështirë për ne kur në disa pacientë të sëmurë, për shkak të gjendjes së rëndë të pacientit, jemi të vetëdijshëm se nuk mund të bëjmë asgjë më shumë se ana kirurgjike.

Ndani një rast për të cilin keni punuar dhe e mbani mend si më emocionuesin?

- Ka ndoshta më shumë situata të tilla gjatë dekadave të fundit, por sigurisht që ne përpiqemi ato momente të mos ndikojnë në punën tonë të mëtejshme kirurgjikale dhe duam t'i harrojmë. Por momentet kur shpëton një pacient të vogël apo një fëmijë të plagosur, qoftë në një aksident trafiku apo ndonjë aksident tjetër, me një dëmtim në bark dhe kur ai shpëtohet, gëzimi dhe reagimet e prindërve dhe vetë fëmijës, të lënë shumë emocione pozitive, por po ashtu edhe një pacient i rritur në moshë të shtyrë me sëmundje të rëndë abdominale, që ka pak gjasa për sukses në ndërhyrjen kirurgjikale, pas largimit me sukses në shtëpi, lumturia e

shërimit të mirë të çuditshëm të pacientit, sjell emocione pozitive te ne, si edhe te më të afërmit e tij.

 

Cila është gjëja e parë që ju vjen në mendje kur përmendet karriera juaj në shëndetësi?

- Sigurisht, para së gjithash mendoj për heqjet dhe sakrificat e mëdha të prindërve të mi, e më pas të familjes sime, atyre iu desh të shkurtonin shumë gjëra ose shumë e shumë herë në fundjavë, festa apo ditë e netë, kirurgët operativë. nuk ishin me ne, që të shpëtojmë jetën e dikujt në rrezik.

A mendoni se të punësuarit në shëndetësinë tonë vlerësohen mjaftueshëm për punën e tyre?

- Ndoshta diku në fillimet e karrierës sime në shëndetësi kam pasur një ndjenjë, ose praktikisht kam mundur të shoh se jemi të vlerësuar nga qytetarët dhe vetë sistemi shoqëror. Por, kjo ishte diku 25 deri në 30 vjet më parë. Në dy dekadat e fundit, vlerësimi i punës në shëndetësi ka qenë vazhdimisht në rënie, si nga qytetarët, ashtu edhe nga ata që udhëhoqën këtë shtet në tre dekadat e fundit. Ndoshta gjatë pandemisë u krijua një shpresë se disa gjëra do të shihen pozitivisht. Por për fat të keq, sapo pushoi pak pandemia me Kovid-19, shohim se jemi vendosur sërish në margjinat e jetesës shoqërore.

Si e komentoni gjendjen aktuale shëndetësore në vendin tonë, duke qenë se jemi dëshmitarë të protestave të punëtorëve shëndetësorë, thuhet se kemi mungesë të personelit mjekësor etj. Çfarë mendoni se duhet bërë për të mbajtur mjekët, infermierët dhe personat tjerë shëndetësor në shtetin tonë?

- Derisa ata që janë në pushtet vetëm në mënyrë proklamative, gjoja janë duke e rimëkëmbur shëndetësinë, ndërsa ata që janë në opozitë kur do të vinin në pushtet do ta rimëkëmbin të njëjtën, nuk do të arrijmë gjëkundi. Tendenca rënëse në shëndetësi, si dhe në të gjitha sferat e tjera, shtyllat shoqërore, është evidente dhe e dukshme në çdo hap të jetesës sonë. Nuk ka strategji të qartë, e më së paku të përbashkët kombëtare shëndetësore pushtet - opozitë, që duhet të bëhet në vitin e ardhshëm, për pesë, dhjetë, 20 dhe 30 vitet e ardhshme.

Pranohen mjekë aty ku nuk duhet, ndërsa nuk pranohet personeli që mungon. Nuk ka programe të drejta për punësim, arsim adekuat, specializime etj. Gjithçka barazohet me punë spontane dhe përballje me situatat aktuale. Spitalet tona nuk janë të rinovuara, shumica e tyre janë shumë të vjetra, me mundësi të pamjaftueshme hapësinore. Diku me aparaturë të vjetër, diku me skajshmërisht të reja, të sofistikuara. Diku shpenzohet tepër shumë, e gjithçka me pretekstin se shëndetësia është falas. Kështu që edhe të gjitha historitë e mira të punës së suksesshme janë kryesisht rezultat i individëve apo një grupi të vogël në spitale apo institucione të caktuara shëndetësore.

Sistemi i vlerësimit, sipas cilësisë dhe performancës së mjekut, thjesht nuk funksionon. Ju mund të punoni shumë, e një tjetër të punojë minimalisht, do të vlerësoheni njësoj. Derisa motrat medicinale, infermierët dhe personeli tjetër mjekësor dhe jo-mjekësor në shëndetësi marrin pagë minimale, shumë, dhe çdo vit në numër më të madh , do të shikojnë shpëtimn në Perëndim. A nuk e dinin ata që deri tani na udhëhoqën në shëndetësi këtë që ne të gjithë e

dimë? Ata e dinë, për fat të keq, por pothuajse asgjë nuk është bërë për të lëvizur disa gjëra nga një pikë e vdekur, drejt një të nesërme më të mirë.

Pakënaqësia edhe te qytetarët, rasti i fundit me vajzën në Manastir ka shkaktuar protesta, ka pasur një rast të një gruaje nga Tetova e cila pretendon se i është prerë gjoksi me diagnozë të rreme të kancerit. Qytetarët ankohen për pakujdesi, sistemin e pasigurt shëndetësor, sidomos kur bëhet fjalë për shëndetin publik. Komenti yt?

- Është e vërtetë që ka gjithnjë e më shumë ankesa. Natyrisht, një pjesë mund të jenë ankesa të drejta, para së gjithash, në pjesën e mosorganizimit të sistemit shëndetësor. Gjithsesi, do të duhet të reformohemi në të dyja drejtimet: ne vetë, punonjësit shëndetësor, e po ashtu edhe vetë qytetarët. Mungesa e rendit në sistemin i vë qytetarët në dyshim se gjërat nuk po funksionojnë siç duhet. Pohoj me përgjegjësi se në përputhje me shkallën ku janë vendosur punonjësit shëndetësorë në shtetin tonë, punohet madje edhe më shumë se mundësitë madje edhe në mbi 95 për qind të rasteve, profesionalisht dhe në përputhje me protokollet përkatëse. Dhe çdo përjashtim, kur shfaqet, duhet të rishikohet dhe të ndërmerren masat e duhura.

A keni menduar ndonjëherë të largoheni dhe të jeni pjesë e një sistemi tjetër shëndetësor? Keni pasur mundësi për të vazhduar punën jashtë vendit dhe çfarë ka qenë vendimtare për ju që të qëndroni këtu?

- Po, disa herë kam menduar dhe jam përpjekur të largohem diku në një vend tjetër. Në vitin 2003, 2005 dhe herën e fundit, në vitin 2008. Kam tentuar, meqë kam parë që sistemi ynë nuk po ecën përpara dhe se jemi në stagnim, harxhoj shumë energji, kohë dhe nuk shpërblehem siç duhet. Nuk më janë dhënë shanset përkatëse për avancim etj. Por, dy herët e para nuk ia dola për shkak të vështirësive të rënda administrativo-burokratike në vendet ku doja të shkoja. Herën e fundit nuk munda për shkak të pamundësisëtë për ta marrë familjen me vete. E, në periudhën në vijim, nuk kam tentuar më, sepse koha për Perëndim më ka kaluar.

E, thjesht, punonjësve të rinj shëndetësorë, unë personalisht nuk mund t'u them, "ju lutem mos shkoni, në vendin tonë është mirë për ju, ka perspektivë..." Tani ato vende i kanë lehtësuar shumë dokumentet e nevojshme burokratike për të shkuar atje.

Kam qenë në disa vende, kam parë se si dhe sa punohet atje. Nëse, në ndonjë nga ato vende, do të bëhej puna aq sa kam bërë unë në këtë vend, secili do të ishte në një shkallë shumë më të lartë të jetesës shoqërore në cilindo vend.

 

Nëse do të mund të zgjidhnit sërish, a do të zgjidhnit sërish këtë profesion fisnik?

- Sigurisht. "E dua profesionin tim. Dhe përpiqem ta ushtroj profesionalisht çdo ditë me të gjitha sfidat dhe vështirësitë dhe rreziqet që i sjellë. Pacientët janë më së paku fajtorë për gjendjen tonë të palakmueshme në sistemin shoqëror.

Çfarë do t'u porositni të rinjve, duke marrë parasysh faktin se një pjesë e madhe e tyre e shohin të ardhmen jashtë shtetit?

- Të edukohen sa më mirë që munden, jo për hir të të tjerëve, por për hir të vetes. Të synojnë të jenë një nga më të mirët në profesionin që zgjedhin.

Nëse duan të bëhen kirurgë, duhet të investojnë shumë mund, energji dhe të heqin dorë nga shumë përfitime të rinisë, pikërisht për këtë arsye duhet të angazhohen për të qenë të mirë, mbi të gjitha, shumë të mirë.

Dhe, deri atëherë, nëse ata që udhëhoqën dhe do të udhëheqin sistemin shëndetësor nuk e kuptojnë se mënyra ekzistuese po i bën të rinjtë të largohen drejt Perëndimit dhe nëse nuk thonë një herë stop...

Atëherë, do të them pa hezitim, mund të largohen. E, sigurisht, nëse ata janë të arsimuar mirë dhe të gatshëm, do të jenë vërtet të suksesshëm dhe të vlerësuar.

Autor: Bllazhe Darudov

Foto: Andrej Brankoviq

QËNDRONI TË LIDHUR