• e hënë, 09 mars 2026

Dita Ndërkombëtare e Gruas: Nga Stambolli deri në Oslo, demonstrata masive për veprim urgjent dhe barazi

Dita Ndërkombëtare e Gruas: Nga Stambolli deri në Oslo, demonstrata masive për veprim urgjent dhe barazi

Shkup, 8 mars 2026 (MIA) - Nën moton globale të Kombeve të Bashkuara për vitin 2026, "Të drejtat. Drejtësia. Veprimi. Për të gjitha gratë dhe vajzat", mijëra demonstrues po mbushin sot rrugët e kryeqyteteve të botës. Dita Ndërkombëtare e Gruas e këtij viti është e ngjyrosur me kërkesat për një përballje urgjente institucionale me dhunën me bazë gjinore dhe për t'i dhënë fund diskriminimit ekonomik, ndërsa fokusi i publikut botëror është mbrojtja e grave në zonat e luftës dhe roli i tyre në proceset e paqes.

Në rajonin e Ballkanit, për sot është paralajmëruar mobilizim masiv si përgjigje e serisë së rasteve tragjike të femicidit të cilat e shënuan fillimin e vitit. 

Shqipëri: Në Tiranë dhe Korçë, protestat e sotme fokusohen në pasojat sociale nga emigrimi dhe ndjeshmëria e rritur e grave në mjediset rurale.

Serbi: Në Beograd, duke filluar nga mesdita, aktivistët nën sloganin "Asnjë më shumë" do të marshojnë nëpër qendër të qytetit. Kërkesat kryesore synojnë përcaktimin ligjor të femicidit si krim më vete.

Turqi: Pavarësisht pranisë së madhe të policisë, mijëra gra priten sot në Stamboll dhe Dijarbakir. Si simbol i rezistencës kundër politikave shtypëse, gratë po planifikojnë veprime simbolike duke i gërshetuar flokët, duke simbolizuar unitetin dhe pathyeshmërinë.

Bullgari: Në Sofje, për sot janë caktuar një varg konferencash dhe marshe me fokus në baraspeshën ekonomike dhe mbylljen e plotë të hendekut të pagesave mes burrave dhe grave. 

Greqi: Në Athinë, organizatat e femrave sot protestojnë kundër ndikimit të pasigurisë ekonomike ndaj të drejtave të punës të grave dhe mëmësisë. 

Kroaci dhe Slloveni: Në Zagreb dhe Lubjanë, marshet e sotme janë të drejtuara drejt mbrojtjes së të drejtave riprodhuese si përgjigje e përpjekjeve për kufizim të të drejtës për abort të sigurt. 

Përgjatë metropoleve evropiane, 8 marsi i vitit 2026 kalon në shenjë të kërkesave për reforma konkrete juridike. 

Francë dhe Spanjë: Në Paris dhe Madrid sot priten një nga protestat më masive në Evropë, me fokus në revizion të ligjeve për pëlqimin seksual dhe barazinë në punësim.

Gjermani: Në Berlin dhe Hamburg, tubimet e sotme e theksojnë “punën e paparë” dhe kërkojnë vlerësim më të mirë të punës në shtëpi dhe kujdesit për fëmijët. 

Përderisa në Uashington dhe Nju Jork protestat janë të përqendruara në liritë riprodhuese, në Argjentinë dhe Meksikë sot vazhdon britma e fuqishme kundër vrasjeve të grave nën sloganin “Asnjë më pak” (Ni Una Menos).

Afganistan: Me rrezik të madh për sigurinë e tyre, gratë në Afganistan për sot paralajmëruan protesta në hapësira të mbyllura, duke e kërkuar të drejtën e tyre të arsimit dhe punës. fc/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR