• e hënë, 23 dhjetor 2024

Dita e dytë e samitit të paqes për Ukrainën në Zvicër

Dita e dytë e samitit të paqes për Ukrainën në Zvicër

Burgenshtok, 16 qershor 2024 (MIA) - Në qytetin zviceran Burgenshtok vazhdon samiti i paqes për Ukrainën, i cili filloi dje.

Në draft komunikatën e konferencës së paqes, siç njoftoi Rojters, ndërsa transmetoi BTA, bëhet thirrje për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës. Për versionin përfundimtar të tekstit do të diskutohet sot.

Presidentja zvicerane Viola Amherd dekalri se nga samiti pret hapat e parë konkretë drejt paqes.

Dje, para fillimit të samitit, ajo saktësoi se vetëm tre pika të planit të paqes do të jenë në axhendën e samitit: siguria bërthamore, siguria ushqimore dhe çështjet humanitare - të burgosurit e luftës dhe kthimi i fëmijëve ukrainas nga Rusia.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha dje se në samitin e dytë të paqes, Ukraina do t'i paraqesë Rusisë masa konkrete për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë.

Zelenski tha se Rusia nuk është e interesuar për paqn dhe se pjesëmarrësit në samit duhet të vendosin së bashku se si të arrijnë paqen "në një mënyrë vërtet të qëndrueshme" dhe në përputhje me Kartën e KB-së, njoftuan mediat ukrainase.

Nga ana tjetër, kancelari gjerman Olaf Sholc u prononcua për përfshirjen e Rusisë në procesin e paqes për Ukrainën.

“Është e vërtetë që paqja në Ukrainë nuk mund të arrihet pa përfshirjen e Rusisë”, theksoi mbrëmë Sholc.

Zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris deklaroi dje se presidenti rus Vladimir Putin, i cili i prezantoi kushtet e negociatave të premten, nuk bëri thirrje për negociata paqeje, por, siç tha ai, për dorëzimin e Ukrainës.

Harris tha se SHBA-ja do të vazhdojnë të punojnë për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe vullnetin e popullit të Ukrainës.

Presidenti francez Emanuel Makron deklaroi se lufta në Ukrainë është një problem global, duke shtuar se temat kryesore në konferencë rreth së cilës është e rëndësishme të mblidhen të gjithë liderët botërorë janë "siguria ushqimore, siguria bërthamore dhe çështjet humanitare".

Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se Putini nuk është i interesuar për paqe dhe se ai ka nisur një fushatë diplomatike kundër samitit në Zvicër.

Rusia nuk ishte e ftuar në samit, por qeveria zvicerane, si mikpritëse e samitit, tha se takimi ka për qëllim "të përcaktojë së bashku një hartë rrugore" se si të angazhohen Moska dhe Kievi në një proces të ardhshëm paqeje. mb/

Foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR