Dimitrovska: Mbështetja e pamjaftueshme politike dhe pengesat administrative, faktorët kryesor që ngadalësojnë Strategjinë për parandalimin e korrupsionit
- Resurset e kufizuara financiare, mbështetja e pamjaftueshme politike dhe pengesat administrative mbeten faktorët kyç që ngadalësojnë zbatimin e Strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, theksoi Tatjana Dimitrovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).
- Post By Qefsere Abduli
- 12:52, 28 mars, 2025

Shkup, 28 mars 2025 (MIA) - Resurset e kufizuara financiare, mbështetja e pamjaftueshme politike dhe pengesat administrative mbeten faktorët kyç që ngadalësojnë zbatimin e Strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, theksoi Tatjana Dimitrovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).
Në seancën e sotme publike të KSHPK-së, Dimitrovska theksoi se nga gjithsej 154 aktivitete për vitin 2024, vetëm 18 për qind janë realizuar tërësisht, 32 për qind janë në proces të realizimit, ndërsa 50 për qind nga aktivitetet mbeten të parealizuara.
"Një nga aspektet kryesore pozitive në realizimin e Strategjisë është rritja e vetëdijes për rëndësinë e llogaridhënies institucionale si dhe roli aktiv i KSHPK-së në përmirësimin e sistemeve për parandalimin dhe sanksionimin e praktikave korruptive. Por, për shkak të burimeve të kufizuara financiare, mbështetja e pamjaftueshme politike dhe pengesat administrative, mbeten faktorët kryesor që ngadalësojnë zbatimin e strategjisë. Gjatë vitit të kaluar realizimi i masave dhe aktivitetet e parapara në Strategjinë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, ka treguar progres në fusha të caktuara, por në të njëjtën kohë jemi përballur me sfida serioze që kërkojnë angazhime shtesë pasi që ka ende dobësi të theksuara në zbatimin dhe monitorimin e aktiviteteve të parapara. Sipas të dhënave nga monitorimi vjetor i gjithsej 154 aktiviteteve për vitin 2024, vetëm 18 për qind janë realizuar plotësisht, 32 për qind janë në proces të realizimit dhe 50 për qind e aktiviteteve mbeten të parealizuara. Të dhënat tregojnë se nevojitet një angazhim më i fortë i të gjithë palëve dhe institucioneve dhe përmirësimi i koordinimit ndërmjet autoriteteve shtetërore, shoqërisë civile, medias dhe partnerëve ndërkombëtarë", theksoi Dimitrovska.
Anëtarët e KSHPK-së ranë dakord se në periudhën e ardhshme është e nevojshme të forcohet koordinimi institucional, të sigurohen burime financiare dhe njerëzore, të rritet transparenca dhe llogaridhënia, të mbështeten reformat në sistemin ligjor, të inkurajohet roli aktiv i qytetarëve dhe të përfshihen në mënyrë aktive në përgatitjen e Strategjisë së re kombëtare që do të përfshijë periudhën 2026-2030.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në seancën e sotme miratoi edhe raportin vjetor për punën e KSHPK-së për vitin 2024, sipas të cilit vitin e kaluar kanë marrë 742 vendime, janë proceduar 451 raste të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, ndërsa prej tyre 27 u përcillen organeve kompetente për veprime të mëtejshme. qa/
Foto: MIA