• e shtunë, 23 nëntor 2024

Dimitrieska-Koçoska: Ribalanci nënkupton zbatimin e marrëveshjeve kolektive dhe të gjitha detyrimeve tjera, nga viti 2025 mund të mendojmë për buxhet zhvillimor

Dimitrieska-Koçoska: Ribalanci nënkupton zbatimin e marrëveshjeve kolektive dhe të gjitha detyrimeve tjera, nga viti 2025 mund të mendojmë për buxhet zhvillimor

Shkup, 27 korrik 2024 (MIA)- Punonjësit në sektorin publik do të fitojnë të drejtat e parapara në marrëveshjen e përgjithshme kolektive. Me ribalancin e Buxhetit siguruam mjete dhe do të zbatohet gjithçka që parashikon Marrëveshja kolektive, si dhe do të ketë harmonizim të pagave të parapara me ligj. Këtë e theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska gjatë pjesëmarrjes në TV Alfa ku paralajmëroi se do të trajtohet sfida e pabarazisë së pagave në institucione të ndryshme.

“Do të ketë harmonizim të pagave të të punësuarve në sektorin publik. Ndonëse shtrohet pyetja pse për këtë nuk janë paraparë mjete në Buxhet. Poashtu do të zbatohet edhe gjithçka që nënkupton Marrëveshje të përgjithshme kolektive. Por ajo që krijon dilemë është se është miratuar Ligji për arsimin e lartë i cili u rrit pagat, ndërsa në Buxhet nuk parashikohen mjete. Në Ministrinë e Mbrojtjes po nënshkruhet Marrëveshje kolektive, gjithashtu nuk janë paraparë mjete. Janë nënshkruar marrëveshje kolektive dhe janë rritur pagat. Por, me të vërtetë ka disa institucione që sa i përket pagave janë në një situatë shumë të vështirë, në krahasim me disa institucione tjera ku ka paga të larta. Këtu sfidë paraqesin edhe pagat në shëndetësi dhe arsim. Por kjo është çështje që do të zgjidhet në periudhën e ardhshme. Në pagat e punonjësve në të njëjtin nivel në institucione të ndryshme nuk duhet të ketë dallime të tilla”, tha ministrja dhe shtoi se për të mos vazhduar me një praktikë të tillë dhe për të shkaktuar dëme në disa punonjës, është dhënë udhëzim që të mos nënshkruhen kontrata kolektive pa mjete të garantuara për këtë qëllim dhe se kjo procedurë do të zbatohet përmes Ministrisë së Financave.

Ministrja vlerësoi se bëhet fjalë për buxhet që deri në fund të vitit parashikon servisimin e obligimeve ligjore dhe detyrimeve në mënyrë që nga viti i ardhshëm të mund të mendohet për buxhet zhvillimor.

“A është zhvillimor apo jo nuk mund të flasin, në fund të ditës janë rezultatet që do të realizohen deri në fund të vitit. Rezultatet e qeverisë së kaluar parë përmes PBV-së flasin se ajo nuk ishte zhvillimor dhe se kanë zbatuar politika katastrofike. Ky buxhet duhet të servisojë detyrimet ligjore dhe detyrimet e duhura, që vitin e ardhshëm të mendojmë për një buxhet zhvillimor”, ka thënë ministrja e Financave, duke shtuar se janë siguruar mjete për paga, pensione, racione studentore, bursa, bono sportive, përfitime sociale...

Duke iu referuar gjendjes së borxhit publik, ajo tha se është dyfishuar që nga viti 2017 dhe rritja e PBV-së është dëshpëruese.

“Së pari duhet të shikojmë se si kemi arritur deri në atë përqindje prej 68%. Nuk mund të lejoj komente se do të kemi huamarrje nga jashtë, sepse kjo është planifikuar nga qeveria e kaluar. Nëse nuk do të kishim zgjedhje do të ishte realizuar më herët. Ajo që po përpiqemi është të gjejmë një alternativë më të lirë për huamarrje nga jashtë. Nëse hyjmë në treg me eurobond do paguajmë interes mbi 6%, ndërsa tani do paguajmë 3.25%. Ajo që është fakt është se po e rrisim borxhin me 181 milionë euro, aq sa edhe deficiti. Planifikojmë pak më shumë huamarrje, sepse në janar dhe shkurt mbarojnë kreditë e mëdha. Dhe është legjitime të shqetësohemi sepse nuk duam të lëmë të bjerë rejtingu kreditor”, ka thënë Dimitrieska-Koçoska.

Në intervistë, ajo thotë se niveli i borxhit publik është konform me Strategjinë fiskale ekzistuese dhe se me miratimin e asaj të re mund të rishikohet niveli i cili do të varet nga ajo nëse do të realizohen projekte të caktuara, si ajo e hekurudhave drejt Bullgarisë.

Ajo gjatë intervistës i është referuar edhe gjendjes në të cilën është gjetur thesari buxhetor, duke theksuar se ai ishte në minus 3,6 miliardë denarë, ndërsa gjendja e llogarisë devizore ka qenë vetëm 47 milionë euro.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR