• e premte, 22 nëntor 2024

Dimitrieska Koçoska: Me ribalancin e Buxhetit do të duhet të sigurohen rreth 80 milionë euro për rritjen e pensioneve

Dimitrieska Koçoska: Me ribalancin e Buxhetit do të duhet të sigurohen rreth 80 milionë euro për rritjen e pensioneve

Shkup, 27 qershor 2024 (MIA) - Me korrigjimin që duhet të bëhet në muajin shtator, pensionistët do të kenë rritjen e parë lineare prej 2.500 denarë, ndërsa rritja e radhës lineare, po ashtu prej 2.500 denarë do të jetë në muajin mars vitin e ardhshëm, theksoi sonte ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska dhe shtoi se kjo do të konfirmohet në seancën e nesërme të parë të qeverisë.

"Pensionisti i cili me rritjen e muajit shtator ka pension prej 15.000 denarë, do të ketë pension prej 17.500 denarë, ndërsa me rritjen në mars të vitit të ardhshëm 20.000 denarë. Pension të tillë do të marrë çdo muaj dhe përshtatja e parë normale e pensioneve me koston e jetesës do të bëhet në shtator të vitit 2025", tha Dimitrieska Koçoska në intervistën për TV Sitel. 

Ajo ka theksuar se me ribalancin e Buxhetit do të duhet të sigurohen rreth 80 milionë euro që të mund të paguajnë pensionet e rritura. Prej tyre, siç tha ajo, rreth 40 milionë euro janë për rritje lineare, ndërsa 40 milionë euro të mbetura nuk i ka paraparë ish qeveria në Buxhetin e këtij viti për pagesën e parregullt të pensioneve. Në fokusin e ribalancit, siç tha ajo, do të jenë komunat, pensionet, paratë për paga, ndërsa çdo gjë tjetër do të shkurtohet.

"Do të mundë t'i sigurojmë këto mjete sepse do të shkurtojmë kostot joproduktive. Fatkeqësisht, për këtë vit është e pamundur të shkurtohet gjithçka, sepse fondet tashmë janë paguar në masë dhe kemi një deficit të madh buxhetor. Paratë tashmë janë shpenzuar dhe nuk ka ku të shkurtohen, por gjithçka që është joproduktive dhe pjesa tjetër do të shkurtohet", tha Dimitrieska Koçoska. 

Megjithatë, theksoi se ka ende vend për shkurtime dhe se ka shumë palogjikshmëri dhe premtoi se do të sigurohen mjete për të gjitha pagesat e zakonshme në Buxhet..

Ajo theksoi se do të mbetet edhe masa TVSH-ja Ime me të njëjtat fonde për qytetarët, por do të ketë korrigjime në pjesën e DAP-it dhe dhënien e përgjigjeve për ankesat e qytetarëve për refuzimin e faturave të skenuara nga qytetarët. Në këtë moment, theksoi ajo, nuk do të ju shkurtohen pagat funksionarëve. Në të njëjtën kohë, emetimi i bonove civile nuk do të vazhdojë derisa të rikthehet besimi në sistem dhe në shtet.

Për kredinë prej një miliardë eurosh të paralajmëruar nga kryeministri Hristian Mickoski, ajo tha se do të merret me kamatë nën 3 për qind dhe nëse lëshohet eurobond, shtesa do të jetë mbi 5.6 për qind.

Për pagën minimale dhe rritjen e mundshme të saj, siç kërkojnë sindikatat, tha se duhet të lidhet me produktivitetin dhe vuri në dukje se nuk ka logjikë ekonomike që produktiviteti ynë të bjerë.

"Duhet të shohim pse produktiviteti ynë po bie. Dyshoj se një pjesë të madhe të kësaj e ka ekonomia gri. Nëse kemi sukses të luftojmë, dhe besoj se do të bëjmë, do të krijohen kushte të favorshme për rritjen e pagës minimale dhe reale", theksoi Dimitrieska Koçoska dhe shtoi se për këtë temë do të diskutohet me sindikatat që kërkojnë që paga minimale të jetë 450 euro në 100 ditët e para të qeverisjes. qa/

Foto: printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR