Digjet vetura e gazetares nga Ohri, SHGM kërkon hetim dhe përgjegjësi
- Policia në Ohër ka njoftuar se mbrëmë në orën 21:30 në SPB është raportuar nga ana e një gruaje 50-vjeçare nga Ohri se para shtëpisë së saj i është vënë zjarri automobilit të saj "BMV Iks3" me targa të Ohrit.
- Post By Melahat Baftija
- 13:45, 6 janar, 2025
Ohër, 6 janar 2025 (MIA) - Policia në Ohër ka njoftuar se mbrëmë në orën 21:30 në SPB është raportuar nga ana e një gruaje 50-vjeçare nga Ohri se para shtëpisë së saj i është vënë zjarri automobilit të saj "BMV Iks3" me targa të Ohrit.
Një ekip i njësisë territoriale të zjarrfikësve ka ndërhyrë në terren, zjarri është shuar dhe nuk ka të lënduar. Kontroll në vendngjarje është kryer nga një ekip nga SPB Ohër dhe me urdhër të prokurorit publik automjeti është dërguar në qarkun e SPB Ohër.
"Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit", ka njoftuar zëdhënësi i SPB Ohër, Stefan Dimoski.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon ashpër incidentin ku u dogj automjeti i gazetares së portalit SAKAMDAKAZAM.MK, Suzana Vrencovska. Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm. I bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të zhvillojë një hetim të shpejtë dhe të plotë për të përcaktuar të gjitha detajet dhe motivet e këtij incidenti të rëndë.
"Ky rast tregon një prirje shqetësuese të rritjes së rreziqeve me të cilat përballen gazetarët në vend. Për më tepër, ky nuk është një incident i izoluar. Në tetor të vitit 2024, u dogj edhe automjeti i kolegut Bllagoj Sersemov, redaktor i televizionit lokal dhe portalit online M-net nga Shtipi. Edhe pse motivet për këto sulme ende nuk janë përcaktuar, është e rëndësishme të theksohet se incidente të tilla, nëse mbeten pa një zgjidhje ligjore, mund të krijojnë ndjenjë pasigurie mes gazetarëve dhe të dëmtojnë punën e tyre në shërbim të interesit publik", theksojnë nga SHGM-ja.
Njëkohësisht u bëhet thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe konkrete për të zbardhur plotësisht të dy rastet, ndërsa autorët doemos duhet të identifikohen dhe të ndëshkohen.
"Është e papranueshme që të ekzistojë pandëshkueshmëri dhe të krijohet hapësirë për spekulime në diskursin publik. Veprimi i shpejtë është jetik për ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe parandalimin e vetëcensurës mes gazetarëve", qëndron në reagimin e SHGM-së. mb/
Foto: MIA