• e diel, 22 dhjetor 2024

"Dello": Lubjana lobon Borut Pahor ta trashëgojë Miroslav Lajçakub në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit

Lubjanë, 10 prill 2024 (MIA) - Ish-presidenti i Sllovenisë dhe themeluesi i “Miqve të Ballkanit Perëndimor”, Borut Pahor, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë, po lobon për të marrë postin e të dërguarit special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, shkruan gazeta sllovene “Dello”.

Sipas gazetës së Lubjanës, Ministria e Punëve të Jashtme vlerësoi se Pahor është një kandidat i përshtatshëm për të zënë këtë pozicion të rëndësishëm dhe prestigjioz në Ballkanin Perëndimor, i cili konsiderohet si zonë strategjike e Sllovenisë, ndaj vendosën që rrjeti diplomatik slloven të ndihmojë ish-presidentin e republikës në kandidimin e tij, transmeton Beta.

Vlerësimet jozyrtare janë se Pahor është një kandidat i përshtatshëm që plotëson kushtet për të zënë vendin e Miroslav Lajçak, mandati i dytë i të cilit përfundon në fund të gushtit.

“Dello” shton se për postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Pahor duhet të aplikojë personalisht në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme (EEAS), gjë që, sipas njohurive të gazetës, ende nuk e ka bërë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Pahor themeloi Institutin "Miqtë e Ballkanit Perëndimor", misioni i të cilit, siç paralajmërohet, është të ndihmojë dhe këshillojë në lidhje me bashkëpunimin e vendeve të rajonit me institucionet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe në lidhje me bashkëpunimin ndërmjet kombeve dhe vendeve nga Ballkani Perëndimor.

Instituti filloi punën në fund të shkurtit. Pahor është themelues dhe drejtor, ndërsa  Bordi Këshillimor përbëhet nga 16 politikanë dhe diplomatë nga 12 vende me përvojë në problemet e Ballkanit Perëndimor.

Mes tyre janë ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë , Ketrin Ashton, ish-kryeministri suedez dhe përfaqësuesi i lartë i OKB-së për Bosnje eHercegovinën Karl Bildt, ish-kryeministrja kroate Jadranka Kosor, ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ish-presidenti serb Boris Tadiq, ish-presidenti bullgar Rosen Plevneliev, ish zëvendëskryeministrja e Maqedonisë së Veriut Radmila Shekerinska. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR