• e hënë, 23 dhjetor 2024

Delegacioni i BE-së: Vendi të vazhdojë t'i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, njohja e pasaportave është punë e çdo vendi anëtar veçmas

Delegacioni i BE-së:  Vendi të vazhdojë t'i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, njohja e pasaportave është punë e çdo vendi anëtar veçmas

Shkup, 28 shkurt 2024 (MIA) - Është me rëndësi që Maqedonia e Veriut të vazhdojë t'i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe zotimet lidhur me ndërrimin e dokumenteve të udhëtimit, të përfshira në Marrëveshjen e Prespës, theksojnë për MIA-n  nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në vend.

Në pyetjen e qëndrimit të BE-së në lidhje me ndryshimet ligjore të propozuara për zgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve të udhëtimit deri në fund të këtij viti, të cilat janë vënë në rend dite sot në seancën e 145-të parlamentare dhe nëse ndryshime të tilla do të jenë të pranueshme për BE-në, nga Delegacioni morëm përgjigje se ajo që është e rëndësishme për vendin është respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, por se njohja e dokumenteve të udhëtimit është çështje e secilit shtet individualisht.

"Është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë angazhimet për zëvendësimin e dokumenteve të udhëtimit, të përfshira në Marrëveshjen e Prespës. Kujtojmë se njohja e dokumenteve të udhëtimit të lëshuara nga vendet e treta është përgjegjësi e secilit shtet anëtar veçmas", thuhet në përgjigjen e Delegacionit të BE-së.

Ambasadori francez Siril Bomgartner dje në një manifestim për shënimin e Ditës së Frankofonisë theksoi se Marrëveshja e Prespës krijon detyrime në sferën e së drejtës ndërkombëtare, por shtoi se e drejta për lirinë e lëvizjes është një tjetër e drejtë, e cila gjithashtu duhet respektuar.

null

"Duhet të kemi parasysh disa parime. Nuk mund t'ua ndaloni qytetarëve të Maqedonisë, si dhe të gjithë qytetarëve të tjerë në botë, të kthehen në territorin e tyre, pra në vendlindje. Kjo është një gjë. Por më pas, për t'u larguar nga territori, vështirësia është nëse qytetari nuk ka një dokument të ri udhëtimi ose një letërnjoftim të ri, kështu që ai do të pengohet të largohet nga vendi i tij", theksoi Bomgartner.

Maqedonia e Veriut deri më tani ka marrë njoftim zyrtar vetëm nga Zvicra se lejohet lëvizja me pasaportë të vlefshme me emrin e vjetër kushtetues. Qytetarët e Maqedonisë nuk kanë asnjë problem për të hyrë në Kroaci për momentin, dhe ambasadorja kroate Nives Tiganj, në një takim me ministrin teknik të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, tha të hënën se Kroacia e kupton problemin dhe se qytetarët e Maqedonisë kanë lëvizje të papenguar në territorin kroat dhe me modelet e vjetra të dokumenteve të udhëtimit, nëse të njejtat kanë vlefshmëri. Nga BeH është dërguar një letër zyrtare se nuk e njohin pasaportën pa emrin e ri. Zëvendësministri shtesë i Punëve të Brendshme, Mitko Bojmacaliev informoi se ka biseduar me ministrin e Sigurisë së Bosnja e Hercegovinës, Neshiq, gjatë së cilës janë pajtuar që qytetarët e Maqedonisë të mund të udhëtojnë atje me letërnjoftim, me emrin e vjetër kushtetues.

Ambasadori i Belgjikës në Maqedoninë e Veriut, Frederik Meris, në një intervistë për "Nezavisen" të publikuar më 11 shkurt, ka bërë të ditur se një grup pune në BE do të diskutojë se si të zbatohet dispozita e Marrëveshjes së Prespës, sipas së cilës nga 13 shkurti të gjithë pasaportat duhet të përmbajnë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.

Meris vlerësoi se do të ishte keq nëse BE-ja nuk ka qëndrim të përbashkët për zbatimin dhe nëse shtetet anëtare individualisht vendosin se si të trajtojnë qytetarët e Maqedonisë me pasaporta të pavlefshme.

"Ne ende nuk e dimë se si Belgjika do ta zbatojë ndryshimin dhe si do t'i trajtojë qytetarët tuaj pa pasaportë të vlefshme, ende nuk kemi një përgjigje konkrete për këtë. Megjithatë, është pjesë e përgjegjësisë së Presidencës së BE-së. Ne do të kemi një takim në fillim të javës së ardhshme në nivel evropian. Ekziston një grup pune brenda BE-së që merret me çështje të tilla dhe ne do të punojmë për të vendosur një qëndrim të përbashkët për shtetet anëtare. Gjëja më e keqe do të jetë nëse ndodh që njerëzit të kalojnë përmes Hungarisë dhe Serbisë, dhe Austria ka një pozicion tjetër - kjo është diçka që ne duam ta shmangim. Pra, në thelb, po, ne duhet të kemi më shumë qartësi javën e ardhshme për këtë çështje", tha Maris në atë kohë. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR