• e hënë, 23 dhjetor 2024

Dashtevski: Kemi pasur zgjedhje të suksesshme, korrekte dhe demokratike, censusi për zgjedhjet presidenciale është përmbushur

Dashtevski: Kemi pasur zgjedhje të suksesshme, korrekte dhe demokratike, censusi për zgjedhjet presidenciale është përmbushur

Shkup, 8 maj 2024 (MIA) - Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) Aleksandar Dashtevski sonte në konferencën për media vlerësoi se zgjedhjet e sotme të dyfishta - raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare ishin korrekte dhe demokratike dhe se ato ishin realizuar me sukses dhe profesionalizëm.

"E drejtë e barabartë e votës u është dhënë të gjithë qytetarëve. Ata votuan me vullnetin e tyre”, theksoi Dashtevski duke falënderuar të gjitha organet zgjedhore për punën e tyre, mediat për raportimin pozitiv, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.

Sipas tij, sot janë konfirmuar vlerësimet e organizatave ndërkombëtare dhe vendore për zgjedhje të organizuara pa ndërprerje në kushte kur zhvillohen dy palë zgjedhjesh.

Dashtevski informoi se është arrit censusi për zgjedhjet presidenciale. Kështu që deri në orën 18:30 nga të dhënat e përpunuara nga 3.186 vendvotime, dalja është 46,31 për qind, ndërsa dalja më e madhe ka qenë në Novaci 72,76 për qind, ndërsa më e ulëta në Likovë, 7,35.

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare është 53.30 për qind nga 3.186 për qind të votave të përpunuara, ku për të votuar kanë dalë 887.767 qytetarë. Dalje më të madhe ka pasur në Novaci 74,85 për qind, ndërsa më e ulëta në Qendër Zhupë 18,62 për qind.

Pjesëmarrja në Njësinë e parë zgjedhore është 59,32 për qind, në Njësinë dy 52,39, në Njësinë e tretë 57,77 për qind, në Njësinë e katërt 58,36 për qind, në Njësinë e pestë 50,91 dhe në Njësinë e gjashtë 40,0 për qind.

Gjatë ditës janë paraqitur 490 ankesa mbi të drejtën e votës, nga të cilat 263 janë pranuar, 33 janë hedhur poshtë, 88 janë refuzuar dhe të tjerat janë në procedim.

Votimi, siç ka thënë Dashtevski do të vazhdojë në vendvotimet në Zelenikovë, Gazi Babë, Qendër dhe Koçan.

Pritet që KSHZ-ja të dalë me rezultatet jozyrtare të zgjedhjeve më së voni në orën 23:30. 

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR