• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bytyqi: Me opozitën kemi interpretim të ndryshëm për inflacionin, ata flasin për mesatar, ne për mujor

Bytyqi: Me opozitën kemi interpretim të ndryshëm për inflacionin, ata flasin për mesatar, ne për mujor

Shkup, 13 tetor 2023 (MIA) - Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi thotë se pushteti dhe opozita ndryshe e interpretojnë infalcionin momental në vend dhe se çdonjëri i interpreton numrat siç do vetë. Ata, siç thotë, flasin për inflacion mesatar, ndërsa pushteti për inflacion mujor. 

"Ne i interpretojmë ndryshe. Ne themi se deri në fund të vitit do të kemi inflacion prej 5 për qind, por mesatarja e vitit nuk merret nga muaji i fundit. Ata flasin për mesatare, dhe ne flasim për inflacion në një muaj, kështu që ne shohim numra të ndryshëm ndryshe. Kjo është e bukura e demokracisë. Secili i sheh numrat si të dojë dhe i interpreton. Unë di vetëm një gjë. Ne kemi thënë se inflacioni mesatar në vitin 2023 do të jetë 8 për qind dhe se ne përpiqemi ta mbyllim vitin me inflacion prej 5 për qind", tha Bytyqi në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës së sotme në kompaninë Mako Market në Shkup, së bashku me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Siç theksoi, mesatarja është funksion i thjeshtë aritmetik dhe fitohet kur merren parasysh inflacionet nga janari deri në dhjetor. Është kundër, siç thotë, për skenare apokaliptike. 

"Pavarësisht se duam ta shohim situatën në mënyrë apokaliptike, siç e pamë vitin e kaluar në shtator se do të jetë fundi për vendin tonë për shkak të krizës energjetike, siç e pamë në vitin 2020, në vitin 2021 për shkak të krizës së kovidit. Fatmirësisht për ne apo për të gjithë qytetarët nuk ndodhi asnjë apokalips. Ne jemi sot këtu shumë më të fortë dhe jetojmë më bukur në vendin tonë dhe a duhet të jetojmë edhe më bukur – sigurisht dhe për këtë besojmë se kjo që po bëjmë do të sjellë rezultate", theksoi Bytyqi.

Tha se nuk ka dallim edhe në projeksionet për rritje të cilat i bën vendi dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

"Shihni projeksionet e FMN-së dhe ndryshimin të cilin e thanë ata, dhe ata e thonë të njëjtën - në krahasim me të gjitha vendet e rajonit dhe në krahasim me vendet e BE-së rritja jonë këtë vit, vitin e ardhshëm dhe në vitin 2025 është mbi atë që disa vende e prisnin për ne, ndërsa janë të përafërta me pritjet tona si Qeveri. Kështu që, nuk dallohemi", theksoi Bytyqi. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR