• e martë, 24 dhjetor 2024

Bytyqi: Investimi i “BMZ” vjen në kohë të duhur, kompanitë gjermane e njohin vendin tonë si pjesë të BE-së

Bytyqi: Investimi i “BMZ” vjen në kohë të duhur, kompanitë gjermane e njohin vendin tonë si pjesë të BE-së

Frankfurt, 4 shtator 2023 (MIA) -  Me nënshkrimin e kontratës me BMZ, ne po pasurojmë dhe rrisim portofolin e investimeve të huaja në vendin tonë me një investim të ri në një fabrikë për prodhimin e baterive që do të hapë 755 vende të reja pune, tha zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Bytyqi së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Zona zhvillimore teknologjike industriale, Jovan Despotovski, ndodhet për vizitë pune në Republikën Federale të Gjermanisë, gjatë së cilës në Frankfurt u nënshkrua marrëveshja me kompaninë gjermane për prodhim të baterive litium-jon "BMZ", për realizimin e një investimi të ri gjerman në Maqedoninë e Veriut.

“Me realizimin e një investimi prej 65 milionë euro, i cili do të hapë 755 vende të reja pune, do të krijohen mundësi shtesë punësimi për bashkëqytetarët tanë, të cilat do të krijojnë shanse për zhvillimin dhe përmirësimin e njohurive, shkathtësive dhe kompetencave të tyre për të marrë pjesë aktive në proceset më moderne të prodhimit teknologjik dhe të jenë të paguar mirë për këtë”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi tha se me eksportin e parashikuar vjetor prej mbi 360 milionë euro, fabrika e re BMZ do të nënkuptojë përfitim të drejtpërdrejtë për kapacitetet eksportuese të Maqedonisë së Veriut dhe përmirësim të bilancit tregtar, por edhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në ndërtimin afatgjatë dhe baza të qëndrueshme për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“BMZ është një kompani që prodhon bateri dhe implementon sisteme baterish në sektorë që, në kushtet e një tranzicioni të intensifikuar global drejt një ekonomie të gjelbër, po fitojnë gjithnjë e më shumë vlerë të theksuar tregu dhe mundësi suksesi. BMZ është sinonim i një kompanie të avancuar teknologjikisht, me një nivel të lartë qëndrueshmërie dhe potencial tregu që rezulton nga produktet e tyre inovative, me cilësi të lartë, të cilat çdo vend do të dëshironte të ishte pjesë e ekonomisë së tij”, tha Bytyqi.

Ky investim është një tjetër gur në mozaikun e marrëdhënieve jashtëzakonisht të mira ekonomike midis Gjermanisë dhe Maqedonisë së Veriut, që do të ketë implikime pozitive për marrëdhëniet e mëtejshme bilaterale.

Drejtori i ZZHTI, Jovan Despotovski, në deklaratën e tij tha se vetëm pas 7 muajsh nga takimi i parë, tashmë jemi këtu për të nënshkruar një marrëveshje investimi prej 65 milionë euro.

“Më e rëndësishme është që BMZ do të punësojë mbi 750 persona me paga mbi 1200 euro bruto. BMZ është edhe kompania e parë që zyrtarisht merr përsipër të ofrojë mbështetje konkrete për zhvillimin e aftësive te të rinjtë në vendin tonë. Ky është një shembull i mirë se si qytetarët kanë përfitim konkret nga investimet”, tha Despotovski.

Përndryshe, me këtë marrëveshje në 2 vitet e gjysmë të fundit, Qeveria përfundoi një cikël investimesh prej mbi 950 milionë euro dhe tashmë po hapin vende të reja pune, numri i përgjithshëm i të cilave do të arrijë në mbi 12.500.

 

QËNDRONI TË LIDHUR