• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bujqit grekë i parkuan traktorët para Parlamentit në Athinë (Foto)

Bujqit grekë i parkuan traktorët  para Parlamentit në Athinë (Foto)

Athinë, 20 shkurt (2024) - Bujqit grekë nga disa pjesë të Greqisë me rreth 150 traktorë kanë arritur në Athinë  dhe që nga pasditja   janë parkuar para Parlamentit të Greqisë në prag të protestës së caktuar, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina. 

 

Me sloganët "Pa bujqit, nuk ka ushqim", "Sot është varrimi i blegtorisë"  të ngjitur me pankartat e traktorëve, por edhe flamuj të zi, së bashku me bujqit grekë janë mbledhur në sheshin Sintagma që edhe një herë të përsërisin se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre.

Në një bisedë me korrespondenten e MIA-s nga Athina shpjegojnë se nga Qeveria kërkojnë   çmime edhe më të ulëta të rrymës, por edhe  nafta bujqësore të lirohet nga tatimi. 

 

Më të prekurit janë bujqit nga zona e Thesalisë, e cila në shtator të vitit të kaluar u përmbyt nga stuhia "Daniel".

 "Të gjithë ne që jemi bujq të rinj, nuk mund të mbijetojmë pas përmbytjeve. Na janë shkatërruar fushat. Qeveria nuk na ndihmon, madje edhe ajo që na takon na e merr", thotë për MIA-n i riu Apostolis nga qyteti i Kardicës, i cili me traktorin e tij mbërriti në Athinë.

 

Protesta e bujqve është caktuar për në orën 18:30 sipas kohës lokale, ndërsa ata do të marrin mbështetje nga sindikatat, shoqatat e ndryshme dhe studentët.

Pritet që pas protestës traktorët gjatë mbrëmjes të qëndrojnë të parkuar në qendër të Athinës   dhe bujqit  të largohen nesër në mëngjes. 

 

Lidhur me aktivitetet e ardhshme bujqit  thonë se pas protestës së sotme do t'i përcaktojnë më tej hapat e ardhshëm.

 

Qëndrimi i qeverisë greke është se nuk ka mundësi financiare për ndihmë shtesë për bujqit.

 Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR