Bota ka shprehur shqetësim të madh për sulmin iranian ndaj Izraelit
- Presidenti amerikan Xho Bajden shprehu solidaritet me Izraelin pas sulmit nga Irani dhe u takua me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar situatën, transmetuan n agjencitë botërore të lajmeve.
Uashington, 14 prill 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden shprehu solidaritet me Izraelin pas sulmit nga Irani dhe u takua me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar situatën, transmetuan n agjencitë botërore të lajmeve.
“Angazhimi ynë për sigurinë e Izraelit përballë kërcënimeve nga Irani dhe ndihmësit e tij (në rajon) është i palëkundur”, shkroi Bajden në rrjetin social X, duke postuar një foto të një takimi urgjent në Shtëpinë e Bardhë me këshilltarët e tij të sigurisë.
"Bashkimi Evropian ashpër e ka dënuar sulmin iranian ndaj Izraelit, deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri", Zhozep Borrel.
"BE-ja fuqimisht e dënon sulmin e papranueshëm iranian ndaj Izraelit. Kjo është eskalim i paparë dhe kërcënim serioz për sigurinë rajonale", ka shkruar Borrel në X.
Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen gjithashtu e dënoi sulmin ajror të Iranit ndaj Izraelit.
Në një postim në rrjetin X sot në mëngjes, Fon der Lajen i bëri thirrje një Teherani zyrtar që të ndalojnë menjëherë sulmet ajrore.
“Unë dënoj fuqishëm sulmin e pacipë dhe të pajustifikuar të Iranit ndaj Izraelit dhe i bëj thirrje Teheranit zyrtar dhe përfaqësuesve të tij që të ndalojnë menjëherë këto sulme”, tha Fon der Lajen.
Gjermania bëri thirrje për ndërprerje të menjëhershme të sulmit. “Ne dënojmë ashpër sulmin e vazhdueshëm, i cili mund të çojë në kaos të gjithë rajonin”, shkroi Ministrja e Punëve të Jashtme Analena Berbok në një postim në X.
Kryeministri britanik Rishi Sunak e dënoi sulmin e "pamatur" të Iranit ndaj Izraelit, për të cilin tha se e tregon "qëllimin që të bëjë kaos në oborrin e vet".
"Këto goditje kërcënojnë t'i nxisin tensionet dhe ta destabilizojnë rajonin. Irani edhe një herë tregoi se ka për qëllim të bëjë kaos në oborrin e vet", tha Sunak.
"Britania e Madhe do të vazhdojë të angazhohet për sigurinë e Izraelit dhe sigurinë e të gjithë partnerëve tanë në rajon, duke përfshirë edhe Jordaninë dhe Irakun", shtoi kryeministri britanik. b
Italia me kujdes dhe brengosje e ndjek situatën pas lansimit të dronëve iranianë kundër Izraelit, publikoi ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani në rrjetin X.
"Me kujdes dhe brengosje ndjekim çka po ndodh në Lindjen e Afërt. Bisedova me kryeministren (Xhorxha Meloni) dhe ministrin e Mbrojtjes (Gvido Korozeto), Qeveria është e gatshme të ballafaqohet me çdo skenar", tha Tajani.
"Me vendosjen për një akt të tillë pa precendet, Irani kalon prag të ri në veprimet e veta destabilizuese dhe krijon rrezik për përshkallëzim të gjendjes, paralajmëroi ministri francez i Punëve të Jashtme", Stefan Sezhurne.
"Franca e konfirmon përkushtimin e vet për sigurinë e Izraelit dhe e bind në solidaritetin e saj", shtoi ai.
Ministria e Punëve të Jashtme të Egjiptit kumtoi se "po bën thirrje për përmbajtje maksimale" dhe se është "në kontakt të drejtpërdrejtë me të gjitha palët në konflikt për t'u përpjekur të frenojnë situatën", në të njëjtën kohë duke paralajmëruar "rrezikun e një zgjerimi rajonal të konfliktit".
Ministria e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite u bëri thirrje të gjitha palëve në konflikt në përmbajtje.
"Kanadaja dënon pa mëdyshje këto sulme ajrore", tha kryeministri Xhastin Trudo në deklaratën duke shprehur "solidaritetin e tij me Izraelin". Ai tha se sulmet "tregojnë edhe një herë përbuzjen e regjimit iranian për paqen dhe stabilitetin në rajon".
Presidenti argjentinas Havier Milei e shprehu "solidaritetin dhe angazhimin e tij të palëkundur ndaj shtetit Izrael".
Qeveria meksikane kumtoi se është "thellësisht e shqetësuar" nga sulmi dhe nga "kostoja që ky veprim mund të ketë në kuptimin e mijëra jetëve njerëzore".
Ministri i Punëve të Jashtme të Kilit, Alberto val Klaveren, në rrjetin X shkroi se është i "shqetësuar nga përshkallëzimi serioz i tensioneve në Lindjen e Afërt dhe nga sulmet iraniane kundër Izraelit".
“Kina shpreh shqetësimin e saj të fortë për përkeqësimin e situatës aktuale dhe u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara të tregojnë përmbajtje dhe qetësi për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”, kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme në Pekin. ls/