• e hënë, 23 dhjetor 2024

Borel: Rusia duhet ta ndalojë përdorimin e ushqimit si armë

Borel: Rusia duhet ta ndalojë përdorimin e ushqimit si armë

Shkup, 4 gusht 2023

Nga Josep Borel Fontelles, Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe Zëvendëskryetar i Komisionit Evropian

Më 17 korrik, gati se një vit pasi e nënshkroi në Stamboll, Rusia vendosi të mos e rinovon Nismën e Detit të Zi për drithërat (NDZD) që i lejon Ukrainës të eksportojë mallra bujqësore në tregje globale. Siç u theksua nga Sekretari i përgjithshëm i KB- së, kjo nismë ka qenë “një fener shprese në një botë që ka nevojë për të më shumë se kurrë”.

Përpara luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, një furnizues i rëndësishëm global i ushqimit, një e pesta e elbit në botë vinte nga Ukraina, si dhe një e gjashta e misrit dhe një e teta e grurit. Pasi Rusia pushtoi Ukrainën, duke sulmuar fushat me drithëra dhe siloset dhe duke bllokuar portet e Ukrainës, çmimet globale të ushqimeve u rritën në nivele rekorde dhe rrezikuan furnizimin me ushqim shumë të nevojshëm për shumë vende importuese. NDZD synoi të rivendos një rrugë jetike për eksportet bujqësore nga Ukraina dhe të ul çmimet globale të ushqimit.

Përskaj sfidave të shumta, ajo ia arriti qëllimin e saj kryesor. Që nga gushti i vitit 2022, eksporti i pothuajse 33 milionë tonë drithërave dhe ushqimeve nga Ukraina në 45 vende të ndryshme luajti një rol të rëndësishëm në uljen e çmimeve globale të ushqimeve me rreth 25% nga çmimi rekord që arriti menjëherë pas sulmit të Rusisë. Siç tregojnë të dhënat e tregtisë publike, më shumë se gjysma e farave, duke përfshirë dy të tretat e grurit, shkoi në vendet në zhvillim.

Veç kësaj, NDZD siguroi qasje të vazhdueshme në grurë për Programin Botëror të Ushqimit (PBU). Në vitin 2023, Ukraina furnizoi 80% të grurit të furnizuar për të mbështetur operacionet humanitare në vendet më të pasigurta ushqimore si Afganistani, Xhibuti, Etiopia, Kenia, Somalia, Sudani dhe Jemeni. Pa rrugën e Detit të Zi, PBU-ja duhet të marrë drithërat e saj diku tjetër me çmime më të larta dhe me afat më të gjatë, në një kohë kur bota po përballet me një krizë të paparë ushqimore.

Vendimi i Rusisë u mor pavarësisht propozimeve të rinovuara të Sekretarit të përgjithshëm të KB-së për të punuar për të drejtuar shqetësimeve të saj. Me qëllim që të hedh fajin, Rusia pretendon se eksportet e saj bujqësore nuk u lehtësuan mjaftueshëm. Kjo nuk vërtetohet nga të dhënat tregtare që janë publikisht në dispozicion, të cilat tregojnë se eksportet bujqësore të Rusisë po lulëzojnë. Rusia mori gjithashtu përfitime të rëndësishme nga Memorandumi i Mirëkuptimit me OKB-në për eksportet e plehrave, i cili ishte ndërmjetësuar paralelisht me NDZD. OKB-ja ka punuar pa pushim për të qartësuar kuadrin rregullator dhe për t'u angazhuar me sektorin privat për të gjetur zgjidhje të përkushtuara në të gjithë sektorët bankar dhe të sigurimeve. Këto përpjekje janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me BE-në dhe partnerët e saj.

Në kundërshtim me gënjeshtrat e përhapura nga Rusia, BE-ja me të vërtetë ka siguruar që sanksionet tona të mos kenë ndikim në sigurinë globale të ushqimit. Nuk ka sanksione për eksportet ruse të ushqimeve dhe plehrave në vendet e treta dhe BE-ja ka dhënë udhëzime të gjera për operatorët ekonomikë, duke sqaruar se këto transferime në vendet e treta janë të lejuara. Ne gjithashtu kemi punuar me OKB-në për të lejuar pagesat përkatëse.

Pavarësisht këtyre fakteve të njohura dhe të vërtetueshme, Rusia vendosi të tërhiqet nga NDZD, duke përdorur ushqimin si armë dhe duke rrezikuar furnizimin global të ushqimit. Disa orë pasi u tërhoq nga nisma, Rusia filloi gjithashtu të shkatërrojë objektet e depozitimit të grurit të Ukrainës dhe infrastrukturën e porteve me sulme të përditshme të synuara, jo vetëm në vetë Detin e Zi, por edhe në Danub. Si reagim i menjëhershëm, çmimet me shumicë të grurit dhe misrit kishin rritjen e tyre më të madhe që nga fillimi i luftës së agresionit të Rusisë. Rritja e paqëndrueshmërisë së çmimeve të ushqimit ka të ngjarë të vazhdojë për sa kohë që Rusia e vendos furnizimin global të ushqimit nën stres të qëllimshëm, duke përkeqësuar krizën globale të kostos së jetesës dhe në mënyrë më akute për njerëzit me pasiguri ushqimore në vendet e varura nga importi. Kjo është e papranueshme dhe duhet dënuar me vendosmëri.

Ndërsa bota merret me furnizime të ndërprera dhe çmime më të larta, Rusia tani u afrohet vendeve të cenueshme, veçanërisht në Afrikë, me oferta dypalëshe të dërgesave të kufizuara të grurit, duke pretenduar se zgjidh një problem që e krijoi vetë. Kjo është një politikë cinike e përdorimit të qëllimshëm të ushqimit si armë.

Në përgjigje të veprimeve të papërgjegjshme të Rusisë, BE-ja është aktive në tre linja kryesore. Së pari, do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e palodhura të Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë për të rifilluar Nismën e Detit të Zi për drithëra. Së dyti, do vazhdojmë të forcojmë “Rrugët tona të solidaritetit” si rrugë alternative për eksportet bujqësore ukrainase për të arritur tregjet globale përmes BE-së. Këto rrugë kanë lejuar deri tani eksportin e më shumë se 41 milionë tonë mallrave bujqësore të Ukrainës dhe ne e rrisim këtë sa më shumë që të jetë e mundur për të zbutur pasojat e përfundimit të NDZD nga Rusia. Së treti, rritëm mbështetjen tonë financiare për vendet dhe njerëzit më në nevojë, duke siguruar 18 miliardë euro për t’ju përgjigjur çështjes së sigurisë ushqimore deri në vitin 2024.

I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjitha vendeve që të rrisin ndihmën e tyre në mbështetje të sigurisë globale të ushqimit. Kërkojmë nga të gjithë partnerët tanë që të nxisin Rusinë që t'i kthehet negociatave siç bëri tashmë Unioni Afrikan, si dhe të përmbahet nga synimi i infrastrukturës bujqësore të Ukrainës. Me një zë të qartë dhe të unifikuar, ne mund ta bëjmë Rusinë të vazhdon pjesëmarrjen e saj në NDZD. Bota ka interes të përbashkët në administrimin e përgjegjshëm të sigurisë globale të ushqimit. Ne ua kemi borxh njerëzve më në nevojë.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR