• e hënë, 23 dhjetor 2024

Boçvarski: Me ndërtimin e Korridorit 8 bëhemi rrugë e pashmangshme transporti në rajon

Boçvarski: Me ndërtimin e Korridorit 8 bëhemi rrugë e pashmangshme transporti në rajon

Shkup, 16 maj 2023 (MIA) - Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, sot po qëndron për vizitë pune në Mal të Zi, ku merr pjesë në konferencën ministrore kushtuar lidhjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, në organizim të Sekretariatit të Bashkësisë së Transportit dhe CEFTA-s.

Në kuadër të Konferencës, ministri Boçvarski e nënshkroi Aneksin e Vendimit të Komisionit Evropian "Mirëkuptim në nivel të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për hartat treguese të Rrjetit të Transportit Trans - Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut", me çka Korridori 8 bëhet pjesë e hartës së korridoreve kryesore në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të zgjerimit të Rrjeteve të Transportit Trans-Evropian të Bashkimit Evropian.

Ministri Boçvarski duke folur para të pranishmëve, njoftuan nga ministria e këtij dikasteri, e ka theksuar rëndësinë e lidhjes rajonale, me theks të veçantë në Korridorin 8 rrugor dhe hekurudhor dhe projektet të cilat realizohen në të njëjtin. 

“Sot nënshkrova Marrëveshjen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian për përfshirjen e këtij Korridori shumë të rëndësishëm në aksin lindje-perëndim në hartën e korridoreve kryesore evropiane. Prandaj, është detyrimi ynë që të vazhdojmë me ndërtimin e Korridorit 8 rrugor dhe hekurudhor, për ta sjellë atë në nivelin e një lidhjeje rrugore moderne, cilësore dhe të sigurt, me të cilën do të tregojmë në veprim se këto politika nuk janë vetëm politika në letër, por politika që ne i realizojmë në terren. Për Republikën e Maqedonisë së Veriut, ky është një vendim strategjik i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, me të cilin tashmë jemi të pozicionuar në mënyrë qendrore si udhëkryq në rajonin e dy korridoreve kryesore evropiane, në korridoret 8 dhe 10", deklaroi ministri Boçvarski.

Siç qëndron në kumtesën e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ai ka shtuar se zhvillimi i Korridorit 8 përgjatë aksit lindje-perëndim është instrument i nevojshëm ekonomik dhe politik i cili rajonit do t'i ndihmojë që ta përmirësojë lidhjen dhe qëndrueshmërinë rajonale. 

Qëllimi i zhvillimit të Rrjeteve të Transportit Trans-Evropian është sigurimi i transportit të pandërprerë, të qëndrueshëm dhe efikas nëpër Union, duke e përforcuar unitetin social, ekonomik dhe territorial.

"Me pozitën gjeostrategjike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me faktin se Korridoret 8 dhe 10 janë pjesë e rrjetit kryesor të transportit, ne bëhemi një rrugë e pashmangshme transporti jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Qëllimi i politikës së transportit të Maqedonisë së Veriut është që korridoret 8 dhe 10 të jenë pjesë e rrjetit bazë deri në vitin 2030, gjegjësisht deri në vitin 2040 për rrjetin kryesor të zgjeruar, që do të ndërtohet sipas standardeve TEN-T të BE-së", thuhet në kumtesë.

Në Konferencë, përveç ministrit Boçvarski, morën pjesë edhe ministrat e Transportit dhe të Infrastrukturës së vendeve të rajonit, si dhe përfaqësues të Bashkësisë së Transportit dhe Komisionit Evropian. fc/

Фото: Министерство за транспорт и врски

Видео: Министерство за транспорт и врски

QËNDRONI TË LIDHUR