• e premte, 22 nëntor 2024

BNJVL me mbështetje për ndryshimet e propozuara në Ligjin për planifikim urbanistik

BNJVL me mbështetje për ndryshimet e propozuara në Ligjin për planifikim urbanistik

Shkup, 13 gusht 2024 (MIA) - Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale të Republikës së Maqedonisë së Veriut - BNJVL kumtoi sot se i mbështet komunat në procesin e ndërtimit të projekteve kapitale me interes publik, realizimi i të cilave do të përshpejtohet me ndryshimet e propozuara në Ligjin për planifikim urbanistik, që është në procedurë kuvendore dhe ku janë paraparë procese të thjeshtësuara të miratimit të planeve, si bazë për leje për ndërtim.

Me këtë, siç bëhet e ditur në kumtesën e BNJVL-së, do tu mundësohet komunave që të realizojnë objekte të cilat janë me interes publik (kopshte, shkolla, ambulanca, garazha në kate...), gjegjësisht në interes të qytetarëve. 

"Numri më i madh i komunave në vend ballafaqohen vazhdimisht me pamundësinë për të përmbushur kërkesat e qytetarëve të tyre përmes ndërtimit të objekteve publike që do të përmirësojnë shërbimet dhe do të sigurojnë cilësi më të mirë jetese. Arsyeja është se, në shumicën e rasteve, në zonat ku ka nevojë për objekte të tilla nuk janë miratuar plane urbanistike detale ose duhet modifikuar ato ekzistuese. Miratimi i planeve të tilla të detajuara kërkon ndarjen e burimeve shumë të mëdha financiare (të cilat shumica e komunave nuk i kanë të mjaftueshme), por në të njëjtën kohë që miratimi i tyre bëhet në një periudhë të gjatë kohore, nga të paktën katër, pesë, deri në dhjetë vjet", bëjnë të ditur nga BNJVL.

Ndryshimet e propozuara ligjore, siç bëhet e ditur në kumtesë, do tu japin mundësi komunave që t'i përmbushin kërkesat e qytetarëve të tyre dhe njëkohësisht ta rrisin përgjegjësinë e këshillave komunalë, të cilët duhet paraprakisht të japin "dritë të gjelbër" gjatë miratimit të ndërtimit të çdo objekti të tillë me interes publik.

"Si arsye shtesë në favor të ndryshimeve të propozuara është detyrimi për ofrimin e mundësive të barabarta për të gjitha komunat në vend që kanë nevojë për ndërtimin e objekteve publike, dhe jo ai 'privilegj' që vetëm komunat me burime më të mëdha financiare duhet ta ndajnë për miratim një rregullore të tillë të planifikimit. Madje, pas premtimit të fundit të Qeverisë së RMV-së se së shpejti do të shpallë thirrje publike për të gjitha komunat për financimin e projekteve kapitale nëpër komuna, është vërejtur se pikërisht për shkak të mungesës së planeve detale urbanistike, një pjesë e madhe e komunave nuk do të mund të aplikojnë për shfrytëzimin e tyre", thonë nga BNJVL.

Në kumtesë është bërë e ditur se mbështetja nga BNJVL shkon në drejtim, të gjitha komunat të marrin pjesë me kushte të njëjta kur sigurohen "grante" të tilla, sepse ato mjete duhet të jenë në favor, njëjtë për të gjithë qytetarët në vend. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR