• e hënë, 23 dhjetor 2024

Besimi: Përkrahja për kategorinë më të ndjeshme është targeti i pakos së re të masave antikrizë

Besimi: Përkrahja për kategorinë më të ndjeshme është targeti i pakos së re të masave antikrizë

Shkup, 29 nëntor 2023 (MIA) - Kriteri kryesor në krijimin e masave nga pakoja e nëntë e masave antikrizë ishte përkrahja për kategoritë më të ndjeshme dhe krijimi i masave më të targetuara, të cilat janë 662 milionë euro, prej të cilave 81 milionë euro janë përkrahje direkte nga Buxheti, ndërsa pjesa tjetër janë mjete jashtëbuxhetore përmes huave të favorshme për ekonominë dhe për EMV-në për subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike. Këtë e theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi i ftuar në TV 24.

Ai nënvizoi se  mjetet për këtë pako masash sigurohen në buxhet përmes të hyrave të rregullta publike dhe se nuk ka huamarrje shtesë për këtë.

"Me anë të këytre masave do të përmirësohet standardi i pensionistëve, do të përkrahen nxënësit, bujqit... Qëllimi është ruajtja e standardit, por edhe përkrahja e ekonomisë përmes konsumit. Masat do të kenë efekt më të madh në ekonomi, që do të përkrahet nga kreditë e Bankës Zhvillimore dhe bankave komerciale prej rreth 400 milionë eurove investime dhe efekti multiplifikues. Mjetet do të jenë me kushte të favorshme, me interes më të ulët që do të subvencionohen përmes Buxhetit në mënyrë që kompanitë të paguajnë interes më të ulët se ato në treg", theksoi Besimi.

Ai theksoi se do të ketë edhe masa për përkrahjen e kompanive.

"Do të përkrahet edhe likuiditeti dhe do të stimulohet konkurrenca e kompanive, si dhe për investime në burimet e ripërtëritshme të energjisë në sektorin privat. Hua për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vlerë prej 10 milionë eurove janë planifikuar për investime në projekte për efikasitetin energjetik dhe burime të ripërtëritshme të energjisë. Në bashkëpunim me BEI-në është planifikuar linja e shtatë e favorshme kreditore për tranzicionin e gjelbër në vlerë prej 100 milionë eurove për investime dhe në bashkëpunim me Agjencinë Franceze të Zhvillimit është planifikuar linja kreditore e favorshme në vlerë prej 50 milionë eurove për përkrahjen e femrave. sipërmarrësisë, dixhitalizimin dhe projektet që kontribuojnë në uljen e efekteve negative ndaj ndryshimeve klimatike dhe projektet me kontribut pozitiv në mjedisin jetësor", potencoi ministri.

Besimi paralajmëroi se janë planifikuar gjithashtu 50 milionë euro hua të favorshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, krijimin dhe ruajtjen e vendeve të punës, përkrahjen e sipërmarrësisë së femrave për investime të gjelbra.

"Nëpërmjet instrumentit të BERZH-it për financimin e gjelbër do të përkrahen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe individët dhe amvisëritë për investime në burimet e ripërtëritshme dhe efikasitetin energjetik", shtoi ai.

Ministri sqaroi se për zbatimin e masave antikrizë në vitin 2023 janë ndarë 189 milionë euro, ndërsa në vitin 2024 janë ndarë 327 milionë euro, sepse masat do të zbatohen deri në fund të këtij viti dhe në gjysmën e parë të vitit 2024. Njëkohësisht, ai përmendi se bëhet fjalë për pako që është planifikuar dhe paralajmëruar më parë, e cila është projektuar në buxhet dhe se zbatohet gjatë periudhës së dimrit, me qëllim të mbrojtjes së standardit të qytetarëve, por edhe përkrahjes së ekonomisë.

Ai shtoi se përkrahje shtesë për ekonominë dhe për përshpejtimin e rritjes është realizimi i projekteve kapitale për të cilat përveç 733 milionë eurove të parapara me buxhetin për vitin 2024, janë edhe investimet nga sektori privat. Njëkohësisht, theksoi se nuk pritet që procesi zgjedhor të ketë ndikim në realizimin e investimeve, të cilat do të jenë shtytësi kryesor i rritjes.

"Rritja e PBB-së për vitin 2024 është projektuar në 3.4%, inflacioni është 3.6% dhe deficiti 3.4%. ky është edhe një mesazh tjetër që inflacioni tashmë është stabilizuar dhe se do t'i jepet mundësi investimeve, që janë faktor i rëndësishëm që do të nxisin rritjen. Investimet në vitin 2024 do të kenë normë rritjeje prej 8.4%, rritja e konsumit final është projektuar në 2.7%, ndërsa të atij privat 3.1%. Shtytësi kryesor do të jenë investimet dhe 2.6% të rritjes së parashikuar prej 3.4% do të jetë si rezultat i investimeve”, nënvizoi ministri Besimi.

Masat nga pakoja e nëntë e masave antikrizë parashikojnë përkrahje për pensionistët me pension të ulët deri në 19.000 denarë, në vlerë prej 1.500 deri në 3.000 denarëve në nivel mujor për periudhë prej 5 muajsh. Do të përkrahen edhe nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm që vijnë nga familje me të ardhura më të ulëta, respektivisht deri në dy paga minimale. Përkrahje financiare prej 1200 denarëve në muaj për 6 muaj parashihet për nxënësit e shkollave fillore dhe 1800 denarë në muaj për 6 muaj për nxënësit e shkollave të mesme. Studentët do të marrin vauçerë transporti. Gjithashtu, parashihen masa për përkrahjen e bujqve për pagesën me avanc të subvencioneve, masa sistemike që do t’i përkrahin të punësuarit e sektorit publik dhe pensionistët, të cilët sipas ligjit të miratuar do të përfitojnë harmonizim të pensioneve në muajin mars dhe shtator të vitit të ardhshëm. fc/

Fotografia: Ministria e Financave

QËNDRONI TË LIDHUR