• e hënë, 23 dhjetor 2024

Besimi: Për ta reduktuar ekonominë joformale, ajo duhet të bëhet joprofitabile

Besimi: Për ta reduktuar ekonominë joformale, ajo duhet të bëhet joprofitabile

5 nëntor 2023, Shkup - Ekonomia gri e ngarkon shtetin me kosto në nivel vjetor po aq sa pjesët e autostradave të Korridorit 8 apo Korridorit 10-d, katër qendrat klinike apo rindërtimi i të gjitha ndërtesave shkollore në vend. Nëse sektori formal në përgjithësi formalizohet, nuk do të ketë nevojë për huamarrje lidhur me financimin e buxhetit. Si rezultat i kësaj, Qeveria në mënyrë strategjike kahëzon zgjidhjen e problemeve përmes Strategjisë pesëvjeçare për formalizimin e ekonomisë joformale, të hartuar nga Ministria e Financave. Gjithashtu, parashihet forcimi i njëkohshëm i sistemit për luftën kundër ekonomisë gri, si dhe ngritja e moralit tatimor dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve, thekson në kolumnën e fundit ministri i Financave, Fatmir Besimi.

"Ekonomia joformale është një nga pengesat strukturore më të mëdha për konvergjencën e vendeve në zhvillim me ekonomitë e zhvilluara. Kjo vlen edhe për konvergjencën e ekonomisë sonë me Bashkimin Evropian. Vlera e të hyrave tatimore me formalizimin e tërësishëm të sektorit joformal, pa asnjë ndryshim në politikën tatimore është e barabartë me shpenzimet kapitale në buxhetin e këtij viti. Gjegjësisht, edhe pse është e vështirë të vlerësohet, ekonomia joformale është rreth 30% të prodhimit të brendshëm bruto të vendit tonë. PBB-ja për vitin 2023 vlerësohet në 14.4 miliardë euro, me ç’rast vlera e ekonomisë joformale do të jetë rreth 4.32 miliardë euro. Sipas përllogaritjeve, kjo nënkupton 795 milionë euro mejete shtesë si fluks hyrës në nivel vjetor në bazë të të hyrave tatimore në buxhet”, theksoi Besimi dhe shtoi se përfshirja më e lartë e ekonomisë joformale është karakteristik për vendet në zhvillim, si dhe se mesatarisht në vendet afër mjedisit tonë ekonomia gri është rreth 30% të PBB-së.

Ministri i Financave thekson se për ta reduktuar ekonominë joformale ajo duhet të bëhet joprofitabile, respektivisht nëpërmjet rritjes së riskut nga ndikimi i sektorit joformal dhe nga ana tjetër nëpërmjet rritjes së benefiteve në sektorin formal.

"Strategjia bazohet në dy fusha kryesore - e para është sistemi dhe e dyta janë qytetarët. Qëllimi është krijimi i sistemit të fuqishëm që do të luftojë kundër ekonomisë gri, gjithashtu përforcimi i moralit tatimor te qytetarët dhe ndërgjegjësimi se me luftimin e ekonomisë gri, ata investojnë në të ardhmen e tyre dhe në një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre”, theksoi Besimi dhe nënvizoi se janë paraparë masa për krijimin e infrastrukturës institucionale për detektimin, monitorimin dhe dhënien e udhëzimeve për adresimin e aktiviteteve joformale, bashkëpunimin ndërinstitucional, sigurimin e të dhënave statistikore dhe treguesve për ekonominë joformale që do të shfrytëzohen rregullisht për monitorimin e ekonomisë gri, si dhe dixhitalizimin e proceseve. 

Gjithashtu, punohet intensivisht për përmirësimin e kornizës rregullative, veçanërisht në fushën e marrëdhënieve të punës. Besimi shtoi gjithashtu se do të punohet intensivisht edhe në forcimin e ndërgjegjësimit mbi ekonominë gri, moralin tatimor dhe besimin nëpër institucione, ndërsa një pjesë e aktiviteteve do të zhvillohen përmes platformës aktuale vnesiboja.mk.

"Gjithashtu po punohet për edukimin e publikut të gjerë përmes mjeteve të ndryshme për efektin shkatërrues të ekonomisë gri. Me qëllim të forcimit të besimit të qytetarëve dhe kompanive te institucionet, do të vazhdojë të përforcohet transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve, si dhe parashikueshmëria në hartimin e zgjidhjeve ligjore, që ka rëndësi të veçantë për komunitetin e biznesit", thekson Besimi. ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR