Berisha kërkon që debati në Gjykatën Kushtetuese për rastin "Balluku" të bëhet në mbledhje të hapur për publikun, duke e akuzuar Ramën për presion ndaj gjyqësorit
- – Lideri i partisë më të madhe opozitare shqiptare, ajo Demokratike, Sali Berisha, në emër të opozitës dhe siç tha, qytetarëve, i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që shqyrtimi i çështjes “Balluku” të bëhet në mbledhje të hapur për publikun.
- Post By Fitore Curri
- 20:45, 2 dhjetor, 2025
Tiranë, 2 dhjetor 2025 (MIA) – Lideri i partisë më të madhe opozitare shqiptare, ajo Demokratike, Sali Berisha, në emër të opozitës dhe siç tha, qytetarëve, i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që shqyrtimi i çështjes “Balluku” të bëhet në mbledhje të hapur për publikun.
Ai akuzoi se Gjykata Kushtetuese, nën presion të kryeministrit Edi Rama, ka vendosur që ta shqyrtojë çështjen për pezullimin e zëvendëskryeministres dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.
Vlerëson se Gjykata Kushtetuese nuk është dashur ta pranojë ankesën e nënshkruar nga vetë kryeministri Rama, i cili sipas Berishës “duhet që së bashku me të gjithë kabinetin qeveritar, i cili është fundosur në korrupsion dhe krim, menjëherë të japë dorëheqje”.
Gjykata Kushtetuese vendosi sot të pranojë kërkesën e qeverisë për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e vendimit në çështjen "Balluku", të lëshuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë (GJKKO) për ta pezulluar nga detyra dhe për t'i ndaluar daljen nga vendi.
Vendimet u morën pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi më 31 tetor se e akuzon Ballukun për shkelje të trajtimit të barabartë të pjesëmarrësve në një tender ose furnizim publik.
Duke u përgjigjur për akuzat për presion mbi Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, theksoi se, “nuk ka rast të dytë në botë që një prokuror ose gjykatës të pezullojë anëtar të qeverisë nga funksioni”. fc/