• e hënë, 23 dhjetor 2024

Beqarovski: Shumica e specializantëve kujdestarojnë pa para, të drejtat e tyre duhet të rregullohen

Beqarovski: Shumica e specializantëve kujdestarojnë pa para, të drejtat e tyre duhet të rregullohen

Shkup, 3 gusht 2023 (MIA) - Shumica e specializantëve kujdestarojnë pa para, të drejtat e tyre duhet të rregullohen, deklaroi sot në konferencën për media në hapësirat e Sindikatës së Qendrës klinike, d.r Niko Beqarovski.

Ai u bëri thirrje të gjithë specializantëve që t'i bashkohen punës së Sindikatës.

"Për ta do të sigurohet një njësi speciale dhe si kryesi sindikale, së bashku me bordin mjekësor do të sigurojmë që të drejtat e specializantëve të përfshihen në negociatat e ardhshme. Siç e dini, për momentin praktikantët, shumica prej tyre kujdestarojnë pa para, duke kryer një pjesë të madhe të punës brenda Qendrës klinike. Pra, të organizuar në këtë mënyrë në negociatat e ardhshme do të veprojmë që të rregullohet përfundimisht e drejta e tyre. Në kuadër të specializantëve, sigurisht që duhet të luftojmë për të drejtën e tyre për kompensim adekuat, kushtet e akomodimit, të gjithë e dimë, të paktën ne që jemi në këtë profesion të mjekut se në çdo vend normal ka shtëpi të veçanta në të cilin praktikantët janë të vendosur në kushte shumë të përshtatshme, pa pasur nevojë të kërkojnë vetë akomodim", shpjegoi Beqarovski.

Ai tha se është biseduar edhe për specializimet private.

"Nuk ka asnjë vend në Evropë ku ekzistojnë specializime private, pa e ditur se për kë specializojnë. Kjo është praktika jonë unike, duke qenë se po angazhohemi drejt Bashkimit Evropian, mendojmë se është koha e fundit që disa nga praktikat e aplikuara atje të jenë edhe në vendin tonë. Pra, do të mund të specializojë ai që ka nevojë, institucion publik, institucion privat, por gjithmonë do të dihet se kush qëndron pas kësaj", shtoi ai.

Lidhur me specializimet ka folur edhe kryetari i Sindikatës së Qendrës klinike, Predrag Serafimovski.

"Vetëm në vendin tonë ka specializim privat. Ajo diku është pesë, diku gjashtë vite. Për ato pesë vite, praktikantët marrin rreth 26.000 apo 28.000 denarë, ndërsa ai specializim p.sh. kushton 10.000 euro. Për ato pesë vite ata mund të marrin 15,000, 20,000 euro. Por ku shkojnë ata praktikantë kur bëhen specialistë? Çfarë përfitimi ka shëndetësia publike prej tyre, nga ato specializime, kur nuk mund të punësohen as në shëndetësinë publike, do të thotë se paratë shpenzohen për aftësimin e tyre dhe askush nuk e sheh përfitimin", konsideron Serafimovski.

Foto: MIA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR