• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bekteshi uron 8 Marsin: Gjithsej 66 për qind të pozitave drejtuese në Ministrinë e Ekonomisë janë gra

Bekteshi uron 8 Marsin: Gjithsej 66 për qind të pozitave drejtuese në Ministrinë e Ekonomisë janë gra
Shkup, 8 mars 2023 (MIA) - Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dërgoi urime me rastin e 8 Marsit - Ditës ndërkombëtare të grave. Ai në urimin e publikuar përmes rrjeteve sociale potencoi se se duhet për çdo ditë të veprojmë kundër stereotipeve gjinore. 

"Barazia gjinore është një parakusht për një shoqëri të lirë, të zhvilluar, demokratike, të drejtë dhe të hapur. 8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila shënon luftën për barazi politike, ekonomike dhe sociale midis grave dhe burrave. Për të respektuar këtë festë ndërkombëtare, duhet të veprojmë çdo ditë kundër stereotipeve gjinore. Kam nderin që të them sot se në Ministrinë e Ekonomisë, të cilën unë e drejtoj, pjesa më e madhe e të punësuarve janë femra", ka bërë të ditur Bekteshi në profilin e tij në Fejsbuk.

Ministri tha se sot mund të mburret se ka barazi gjinore në Ministrinë e Ekonomisë.

“Në kuadër të njësive organizative në Ministrinë e Ekonomisë, gjithsej 66% e pozitave drejtuese, ku përfshihen këshilltarë shtetërorë, shefa departamentesh, drejtuese departamentesh – janë gra. Gruaja është shtylla e familjes, por në të njëjtën kohë pjesë thelbësore e jetës politike, sociale, ekonomike dhe kulturore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Dua t'i përgëzoj të gjitha gratë në Republikën e Maqedonisë së Veriut për sukseset e tyre, të cilat reflektojnë çdo ditë në shoqërinë tonë. Aktivitetet dhe veprat e grave duhet të festohen, jo vetëm sot, por gjatë gjithë vitit. Gëzuar 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas”, ka shkruar ministri Bekteshi.

Foto: Fejsbuk profili i Kreshnik Bekteshit

QËNDRONI TË LIDHUR