• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bekteshi: Kemi përparim të rëndësishëm në procesin e dekarbonizimit, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është transformim i gjelbër dhe rritje e investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë

Bekteshi: Kemi përparim të rëndësishëm në procesin e dekarbonizimit, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është transformim i gjelbër dhe rritje e investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë

Shkup, 13 korrik 2023 (MIA) - Edhe krahas krizës energjetike që e kaploi jo vetëm Maqedoninë e Veriut por edhe mbarë botën, zhvillimin dhe investimet në sektorin energjetik janë një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë, me qëllimin kryesor sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji si edhe lëvizjen drejt ekonomisë së gjelbër. Në disa vitet e kaluara Qeveria i bëri disa reforma në sektorin energjetik me çka e filluam procesin e dekarbonizimit.

Këtë e potencoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në fjalimin e tij në konferencën "Ballkani Perëndimor: Bashkëpunimi transatlantik dhe rajonal - ndërtimi i aleancave të fuqishme" që u mbajt sot në Uashington.

Siç kumtuan nga Ministria e Ekonomisë, Bekteshi foli në panel diskutimin me temë: "Diversifikimi i Energjisë: Drejt Pavarësisë Energjetike Evropiane", ku u diskutuan sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e dekarbonizimit dhe promovimit të burimeve të rinovueshme të energjisë.

Ai theksoi se nevoja për transformim energjetik në Ballkanin Perëndimor, që nënkupton dekarbonizimin dhe rritjen e investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë, është një nga prioritetet më të mëdha, veçanërisht në kontekstin e krizës energjetike.

"Maqedonia e Veriut është vendi i parë anëtar i Komunitetit të Energjisë, i cili ka zhvilluar një Plan Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, i cili përfshin dekarbonizimin, efikasitetin e energjisë, sigurinë e furnizimit me energji, tregun e brendshëm të energjisë dhe kërkimin, inovacionin dhe konkurrencën. Dekarbonizimi është gjithashtu një nga shtyllat kryesore të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Energjisë deri në vitin 2040. Varësia e vendit nga importet e gazit natyror, si dhe nga shumica e karburanteve, e bën skenarin e dekarbonizimit dukshëm të cenueshëm ndaj trazirave në tregjet e qymyrit, naftës, gazit natyror dhe energjisë elektrike të shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë", tha ministri Bekteshi.

Si obligime të marra nga Maqedonia e Veriut në fushën e dekarbonizimit, shtohet në kumtesë, parashikohet në periudhën e ardhshme mbyllja e termocentraleve dhe në këtë mënyrë ndalimi i prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri, rritja e pjesëmarrjes së burimeve të rinovueshme në sektorin e energjisë, proces që tashmë ka nisur me investimet në termocentrale fotovoltaike, si dhe uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike.

"Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të konsiderueshëm në dekarbonizimin dhe veprimet klimatike në dokumentet kombëtare strategjike dhe të veprimit për energjinë dhe klimën. Sipas Strategjisë së Zhvillimit të Energjisë, pesha e BRE-ve në konsumin bruto final të energjisë pritet të rritet, duke arritur në intervalin 35-45 për qind në vitin 2040", tha Bekteshi.

Ministri theksoi se Maqedonia e Veriut aktualisht është plotësisht e varur nga gazi rus për sa i përket gazit natyror, por me mbështetjen e partnerëve tanë SHBA dhe BE vitin e kaluar, vendi arriti të sigurojë kapacitete shtesë në gazsjellësin me Bullgarinë dhe do të fillojë ndërtimin në fund të vitit të ndërlidhësit me Republikën e Greqisë, i cili do të diversifikojë burimet e furnizimit me këtë energji.

"Ne jemi duke punuar për një lidhje gazi me Serbinë dhe Kosovën, që do të nënkuptonte një pavarësi më të madhe energjetike për rajonin", tha ministri.

Në panel diskutimin "Diversifikimi i Energjisë: Drejt Pavarësisë Energjetike Evropiane" fjalime patën Xhefri Pajat , ndihmëssekretar i Shtetit për Energjinë në Departamentin e Shtetit, Ana Novakoviç Gjuroviq, Ministre e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit të Malit të Zi, Vedran Lakiç, Ministër i Industrisë, Minierave dhe Energjisë e Federatës së BeH.

Foto: Ministria e Ekonomisë

QËNDRONI TË LIDHUR