• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bekteshi: Jam i bindur se tregtarët do të respektojnë masat

Bekteshi: Jam i bindur se tregtarët do të respektojnë masat

Shkup, 3 prill 2023 (MIA) - Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi beson se tregtarët tanë do të respektojnë plotësisht masat për pemët dhe perimet. 

Bekteshi theksoi se inspektoratet në vendin tonë janë të pavarura sipas ligjit dhe drejtpërdrejt i japin raporte Qeverisë, pasi siç tha ai, “në një seancë të Qeverisë i kemi obliguar të gjitha shërbimet inspektuese në vendin tonë që të bëjnë kontrolle të zgjeruara, sipas kompetencave të tyre”.

"Do të ndërmerren veprime të koordinuara nga inspektoratet, përfshirë Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Por unë mendoj dhe jam i bindur që tregtarët tanë do të respektojnë plotësisht masat dhe ne kemi përvojë nga dy-tre javët e fundit, që mbi 90 për qind respektohen, sidomos në supermarketet e mëdha, sepse flasim për një masë që vlen për 25 ditë", tha Bekteshi, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se si do të kontrollohet respektimi i masës.

Për sa i përket kohëzgjatjes prej 25 ditësh të masës, Bekteshi sqaroi se është kështu, sepse jemi pothuajse tërësisht të varur nga importi.

"Ne nuk kemi prodhimin tonë vendor, dhe jemi pothuajse tërësisht të varur nga importi. Sidomos nga Greqia dhe Shqipëria për pjesën më të madhe të produkteve dhe sigurisht që nuk duhet lënë hapësirë për marzhe të tilla qoftë edhe për një javë dhe jo për një muaj e gjysmë apo dy muaj. Dhe, nga fundi i prillit, fillimi i majit, produktet tona vendore tashmë do të fillojnë të plasohen", tha Bekteshi.

Në konferencën e përbashkët për media të Bekteshit me drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, u shtrua pyetja se si do të kontrollohen tregjet e gjelbra, “duke pasur parasysh se aty shiten shumica e pemëve dhe perimeve”, në të cilën Trajkovski sqaroi se Inspektorati Shtetëror i Tregut, pas miratimit të vendimit të fundit për ngrirjen e çmimeve të pemëve dhe perimeve, do të veprojë në koordinim me institucione të tjera si DAP dhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe së bashku në veprime të koordinuara do t'i kryejë këto kontrolle edhe në tregje.

"Me të gjitha institucionet tjera kompetente. Nëse nuk kanë aktivitet të regjistruar, atëherë ka sanksion ligjor për atë që kryen një veprimtari që nuk është i regjistruar", nënvizoi ai.

I pyetur se si do të kontrollohet çmimi sipas kategorive të produkteve, për të mos “paguar për të parën por marrjen e produkteve të klasit të dytë apo të tretë”, Bekteshi tha se kjo duhet të sqarohet në detaje nga Ministria e Bujqësisë apo Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.

"Por këto vendime janë marrë me marrëveshje të plotë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë. Detyrimi ynë si Ministri e Ekonomisë ishte që të bëjmë analizë në çmimin mesatar në muajin mars, çmimet e importit, marzhet, respektimin e marzheve të caktuara ose jo,në pjesën e cilësisë së frutave dhe perimeve, drejtohuni në Ministrinë e Bujqësisë ose në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari. Jam i bindur që kur të plasohen produktet tona vendore, këto çmime do të jenë gati 30, 40 për qind më të ulëta se sa kemi përcaktuar tani, në këtë ditë", theksoi ministri.

Qeveria mori sot vendimin për fiksimin e çmimeve të 11 llojeve të frutave dhe perimeve. Vendimi që përfshin domatet, kastravecat, qepët, lulelakrën, specat, fasulen, thjerrëzat, bananet, portokallet, mandarinat dhe limonët, do të jetë i vlefshëm nga 5 prilli deri në fund të këtij muaji.

Siç njoftoi ministri, domatet e freskëta do të kushtojnë maksimum 70 denarë, kastravecat 75, qepët 60, lulelakra 70, specat 90, fasulja 75, thjerrëzat 110, bananet 70, portokallet 55, mandarinat 60 dhe limoni 55 denarë. sa/

FOTO: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR