• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bekteshi do të kërkojë takim me LSM-në për përcaktimin e shportës minimale sindikaliste

Bekteshi do të kërkojë takim me LSM-në për përcaktimin e shportës minimale sindikaliste

Shkup, 16 mars 2023 (MIA)- Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi nesër do të kërkojë takim me Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë sepse nga bashkëpunëtorët në Ministrinë e Ekonomisë është konstatuar se ka gabime në llogaritjen e shportës minimale sindikaliste. 

"Ndoshta është  e paqëllimshme, ndoshta edhe gabim teknik, por është fakt se shporta minimale sindikale në vendin tonë nuk është 50.000 denarë dhe nuk tejkalon 43.000 denarë konform metodologjisë që ishte më parë. Kjo do të thotë se që nga gushti e këndej dy herë kalkulohet inflacioni në metodologjinë dhe të gjitha elementet të cilat ishin paraparë në metodologjinë e mëparshme", sqaroi Bekteshi. 

Jemi të përkushtuar, porositi ministri, në rritjen e rrogave dhe pensioneve dhe do të krijojmë masa të mjaftueshme me kryeministrin dhe me ministrin e Financave. 

Ministri Bekteshi paralajmëroi se së shpejti do të dalë me informacione për listën e produkteve ushqimore për të cilat do të ketë normë të rishikuar të TVSH-së. 

Produktet ushqimore bazë do të mbeten me normë preferenciale, por jo edhe lukset që nuk i shfrytëzojnë shumica e qytetarëve. 

"Lista e produkteve ushqimore për të ndryshuar normën e TVSH-së është e ndarë me të gjitha palët e interesuara dhe me prodhuesit dhe me shoqatat e qytetarëve dhe Odat ekonomike. Për produktet bazë ushqimore dihet se do të mbeten pesë për qind, por fatkeqësisht nga vendimet e mëparshme të shtatë, tetë dhe dhjetë viteve më parë, ka produkte që janë pesë për qind dhe sot janë luks dhe shumica e qytetarëve as nuk i shfrytëzojnë ato. Pse ato të jenë pesë për qind kur mund të bëjmë masa tjera të mjaftueshme që të paktën ato bazë të jenë më të lira? Për një kohë të shkurt do të dalim në opinion në pjesën e riprogramimit të normave të TVSH-së për produkte të caktuara", tha Bekteshi. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR