• e hënë, 23 dhjetor 2024

BE-ja të gjejë një mënyrë më të mirë për të mbrojtur fondet e destinuara për Ballkanin Perëndimor me Planin e rritjes, konsideron Gjykata Evropiane e Revizorëve

BE-ja të gjejë një mënyrë më të mirë për të mbrojtur fondet e destinuara për Ballkanin Perëndimor me Planin e rritjes, konsideron Gjykata Evropiane e Revizorëve

Bruksel, 7 shkurt 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian duhet të gjejë mënyra për të mbrojtur më mirë fondet në vlerë prej gjashtë miliardë eurosh të destinuara për vendet e Ballkanit Perëndimor përmes Planit për rritjen e rajonit, i cili duhet t'i ndihmojë këto vende të plotësojnë kushtet për anëtarësim në BE, thuhet në mendimin e Gjykatës Evropiane të Revizorëve.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, sipas mendimit të Gjykatës, të publikuar vonë këtë pasdite, revizorët evropianë mirëpresin futjen e rregullave më të rrepta të financimit nga BE-ja, me të cilat e lidhin pagesën e fondeve si pjesë e Planit me përmbushjen e disa kushteve brenda kuadrit të agjendave të reformave për vende të ndryshme, por gjithsesi theksojnë “rrezikun që kushtet për pagesë nuk janë mjaftueshëm ambicioze dhe treguesit nuk janë mjaftueshëm të qartë dhe të matshëm”.

Sipas revizores Laima Andrikiene, përgjegjëse për hartimin e mendimit, mbetet e vështirë të sigurohet se reformat e zbatuara do të jenë të qëndrueshme, kryesisht për shkak të "kapacitetit të dobët administrativ të rajonit".

"Për më tepër, Komisioni Evropian jo vetëm që duhet të bëjë vëzhgime, por gjithashtu duhet të jetë në gjendje t'u kërkojë qeverive të Ballkanit Perëndimor që të rishikojnë dhe ndryshojnë në mënyrë adekuate agjendat e tyre të reformave", konsideron Andrikiene.

 

Gjykata e Revizorëve propozon gjithashtu vendosjen e udhëzimeve përkatëse për vlerësimin e përmbushjes së kënaqshme të kushteve të nevojshme për financim të përcaktuara në agjendat e reformës.

Në mendimin, kujtohet se me Planin e rritjes për mbështetjen e rajonit për periudhën 2024-2027 parashikohen gjashtë miliardë euro, nga të cilat dy miliardë euro janë ndihmë të pakthyeshme (grante) dhe katër miliardë euro janë kredi, të cilat. , sipas revizorëve, përfaqësojnë një rritje të ndjeshme mbi 40 për qind të fondeve të planifikuara për Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2027, duke pasur parasysh se me kornizën aktuale buxhetore shumëvjeçare të BE-së për 2021-2027, në dispozicion të këtyre vendeve është vënë një shumë prej 14 miliardë eurosh, të destinuara për vendet kandidate për anëtarësim në Union.

Në dokument gjithashtu theksohet se disa dispozita të propozimit që kanë të bëjnë me të drejtat e revizotëve të Gjykatës Evropiane të revizorëve dhe aksesin në të dhëna dhe dokumentacion duhet të sqarohen në mënyrë që të sigurohet mbikëqyrja e duhur.

 Gjykata konstaton se propozimi për krijimin e Mekanizmit për realizmin e Planit dhe vetë Planit të rritjes shpjegojnë pse ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të afrohen më tej me BE-në, sepse për një kohë të gjatë konsiderohej se lidhja ekonomike midis BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor - Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, është e pamjaftueshme.

 

   

Mendimi u përpilua me kërkesë të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së, të cilët i kërkuan Gjykatës Evropiane të revizorëve që të paraqesë qëndrimin e saj për propozimin e KE-së jo më vonë se 9 shkurti i këtij viti.

Ndryshe, aktualisht janë duke u zhvilluar negociatat ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së për rregulloren për Reformën dhe Mekanizmin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në bazë të së cilës do të zbatohet edhe vetë Plani.

Siç tha në konferencën e sotme për media, zëdhënësja e KE-së për Politikë Fqinjësore dhe Zgjerim, Ana Pisonero, zbatimi i Planit do të fillojë pas miratimit të rregullores. qa

Foto: Gjykata Evropiane e Revizorëve

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR