• e martë, 03 mars 2026

Shekerinska: NATO me kujdes ndjek ndërhyrjen hibride ruse në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Ballkan

Shekerinska: NATO  me kujdes ndjek ndërhyrjen hibride ruse në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Ballkan

 Sarajevë, 6 dhjetor 2025 (MIA) - NATO me kujdes i ndjek përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në proceset e brendshme në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, deklaroi për FENA-n zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska. Ajo theksoi se aktivitete të tilla përfaqësojnë një "model tipik rus të veprimit" që është pjesë e arsenalit të tyre hibrid.

"Shumë me kujdes i ndjekim përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në proceset e brendshme dhe rajonale. Kemi parë se si aktivitetet hibride ruse po përpiqen të krijojnë përçarje, të përdorin një pjesë të retorikës secesioniste dhe të krijojnë përçarje shtesë në shoqëritë tona dhe në rajon. Ne po e ndjekim këtë", paralajmëroi Shekerinska. 

Ajo sqaroi se kjo është tipike për modelin rus të veprimit që është i dukshëm edhe midis aleatëve të NATO-s dhe nuk kufizohet vetëm në Ballkanin Perëndimor ose partnerët. 

Shekerinska theksoi se NATO mbetet e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor, pasi është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, duke shtuar se Aleanca ka aleatë të shumtë në rajon, si dhe partnerë të tillë si BeH-ja. 

 Duke folur për sektorin e mbrojtjes së BeH-së dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të BeH-së (FABeH), zëvendëssekretarja e përgjithshëm e NATO-s tha se Aleanca kërkon të sigurojë mbështetje në shumë fusha praktike. Megjithatë, siç theksoi, është thelbësore që FABeH të marrin burime financiare të qëndrueshme dhe më të forta.

 Ajo kujtoi programin DCB (paketë për përmirësimin e mbrojtjes), përmes të cilit NATO siguroi pajisje ushtarake dhe automjete të specializuara për FABeH, që ishte rezultat i mbështetjes nga Sllovenia.

 Në pyetjen për një mesazh kyç për liderët politikë në BeH në lidhje me stabilitetin dhe reformat, Shekerinska theksoi se kompromiset politike janë gjithmonë të dhimbshme dhe të rrezikshme për karrierat politike, por nga përvoja e saj, ato gjithmonë ia vlejnë.

Në fund, ajo porositi se qytetarët nga politikanët presin të bëjnë hapa përpara, jo të përsërisin të njëjtat histori dhe probleme si në tre dekadat e fundit, duke shtuar se kjo është më shumë një këshillë sesa një mesazh. 

 Foto: printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR