• e hënë, 23 dhjetor 2024

BDI: Skandaloze fitorja e Putinit dhe mbështetja ruse në Maqedoninë e Veriut

BDI: Skandaloze fitorja e Putinit dhe mbështetja ruse në Maqedoninë e Veriut

21 mars 2024 MIA

Bashkimi Demokratik për Integrim me shqetësim të madh sheh rezultatet e fundit të zgjedhjeve ruse edhe në territoret jashtë Rusisë.

Diktatori Putin, në zgjedhjet ruse të zhvilluara gjithandej, mbështetje më të madhe nga vendet e rajonit ka marrë në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Komisionit zgjedhor të Rusisë, 88.1% e qytetarëve të Rusisë që jetojnë në vendin tonë, kanë votuar për Putinin.

Kjo dëshmon se politika ruse është prezente, nuk ka hequr dorë dhe vazhdon të përpiqet çdo ditë e më shumë të rrezikojë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të rrënojë çdo të arritur të vendit vitet e fundit.

Në skenarin rus të Putinit, ka kohë që janë renditur zëshëm parti politike në Maqedoni, ndërsa të njëjtat, së fundmi - po ndihmohen edhe nga opozita shqiptare, e cila për çdo ditë shpif, fyen dhe dezinformon qytetarët se BDI është e keqja e vendit dhe jo VMRO dhe Levica.

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk dëshiron të besojë se opozita shqiptare me vetëdije i është bashkangjitur skenarëve ruse, por i apelon të reflektojë dhe të bëjë fushatë demokratike dhe evropiane, duke marrë shembull BDI-në dhe Presidentin në ardhje, Bujar Osmani.

Gjithashtu, sigurojmë qytetarët se, ashtu siç ndodhi me anëtarësimin në NATO dhe udhëheqjen e suksesshme me Misionin e OSBE-së, Bashkimi Demokratik për Integrim do të jetë çelësi kryesor edhe në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.


Kështu që, ashtu siç konstatojnë të gjitha sondazhet, më 24 prill dhe më 8 maj, opozita shqiptare e koordinuar tashmë me politikat ruse në Maqedoni, do të marrë goditjen e fundit nga qytetarët, shumica e të cilëve i kanë thënë hapur “PO Europës, JO Rusisë”.

Bashkimi Demokratik për Integrim

___________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

Foto: MIA arkiv

 

QËNDRONI TË LIDHUR