• e hënë, 30 dhjetor 2024

ASK: Sipas regjistrimit, Kosova pritet të ketë rreth një milion e 600 mijë banorë

ASK: Sipas regjistrimit, Kosova pritet të ketë rreth një milion e 600 mijë banorë

Prishtinë, 27 maj 2024 (MIA) - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), pas përfundimit të regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave i cili ka zgjatur nga 5 prilli deri më 24 maj, vlerëson se Kosova do të ketë rreth një milion e 600 mijë banorë, njofton korrespondenti i MIA-s në Prishtinë.

Ushtruesi i detyrës drejtor ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati sot në konferencë shtypi deklaroi se të dhënat zyrtare do të publikohen në mesin e korrikut të këtij viti.

“Të dhënat do të publikohen në gjysmën e parë të korrikut, por në bazë të ditëve të fundit të procesit si dhe plotësimit që është bërë, pritshmëritë janë që Kosova të ketë rreth 1.6 milionë banorë”, deklaroi Kastrati.

Ai informon se deri më tani në diasporë janë regjistruar rreth 600 mijë persona, por ky numër me siguri do të jetë më i madh duke pasur parasysh se regjistrimi për atë kategori është vazhduar deri në fund të gushtit.

Kastrati deklaroi se në gjithë procesin e regjistrimit të popullsisë janë përfshirë rreth 5.100 persona, ndërsa vlerësim i ASK-së është se procesi ka kaluar pa probleme. 

QËNDRONI TË LIDHUR