• e martë, 26 nëntor 2024

Asani dhe Azizi nga ITSHKSH, pjesëmarrës në konferencën shkencore ndërkombëtare në Tiranë

Asani dhe Azizi nga ITSHKSH, pjesëmarrës në konferencën shkencore ndërkombëtare në Tiranë

Tiranë, 26 nëntor 2024 (MIA)- Dje Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës organizoi një konferencë shkencore me temë “Në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazifashist”.

Në hapje të konferencës, kryetari i ASHSH, Akademik Skender Gjinush, pasi u shprehu të pranishmëve urimet për festën e 80-vjetorit të Çlirimit të vendit, falënderoi organizatorët e konferencës dhe pjesëmarrësit nga Kosova, Maqedonia e Veriut, nga Akademia Ushtarake dhe Akademia e Policisë, etj.

Ai theksoi se, qasja ndaj rolit të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, një nga ngjarjet më të mëdha e më tragjike të njerëzimit, ka të bëjë jo thjesht me qëndrimin ndaj një periudhe historike, por me vlerësimin e një prej tipareve më të vyera të një populli, atë të antifashizmit, tipar themelor ky i popujve sot, në botën demokratike.

Krahas studiuesve nga Tirana, Prishtina, Greqia, Italia, Britania e Madhe, në këtë konferencë shkencore ndërkombëtare morën pjesë edhe dy përfaqësues nga ITSHKSH, Shkup, drejtori, Prof. dr. Skender Asani, Prof. dr. Isamedin Azizi me kumtesën: “Përcaktimi i shqiptarëve të Maqedonisë për Luftën Nacionalçlirimtare dhe bashkëpunimi me Luftën Nacionalçlirimtare të Shqipërisë.”

Sipas studiuesve Asani dhe Azizi Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, si mbarë populli shqiptar, dëshmuan pjekurinë më të lartë politike, duke u rreshtuar me Luftën Nacional-Çlirimtare, me luftën antifashiste, si një shpresë se kështu do të kontribuojnë për bashkimin kombëtar në mënyrë që të mos akuzoheshin pas përfundimit të Luftës së II-të Botërore si mbeturinë reaksionare, e cila “duhej asgjësuar”.

Për auditoriumin shkencor e akademik të kësaj konference ishte me interes edhe elaborimi që i bënë stiudiesit Asani dhe Azizi evoluimit të qëndrimeve politike maqedonase kundrejt shqiptarëve dhe rolit të këtyre të fundit në rrjedhat e luftës antifashiste.

“Zanafilla e evoluimit të qëndrimit të maqedonasve karshi shqiptarëve filloi në momentet kur do të bëhen ndryshime rrënjësore në strukturat udhëheqëse të LNÇ-së dhe të Partisë Komuniste të Maqedonisë (PKM), në prag të përfundimit të Luftës II Botërore të cilat, tanimë do të jenë nën ndikimin e fuqishëm të rrymës proserbe që vinte nga ana e komisarëve serbë të dërguar në Maqedoni. Kjo u bë shumë e qartë edhe në mbledhjen e parë të ASNOM-it. Ndonëse shqiptarët ishin mjaft aktivë gjatë Luftës II Botërore dhe barra e aktiviteteve luftarake peshonte mbi pjesët e Maqedonisë Perëndimore, në këtë mbledhje ata tërësisht u anashkaluan. Vendimet dhe normativat e tjera juridike që u aprovuan në mbledhjen e parë të ASNOM-it, përcaktuan pozitën shtetërore të popullit maqedonas, kurse popullata shqiptare e Maqedonisë u cilësua si pakicë nacionale. Nga pozita e së drejtës për vetëvendosje, që iu ishte ofruar më herët, shqiptarët do të përfundojnë në statusin e pakicës kombëtare”, thuhet ndër të tjera në kumtesën e studiuesve Asani dhe Azizi.

Si sublimim i të gjitha kumtesave që u lexuan në këtë konferencë shkencore ndërkombëtare, doli konstatimi se shqiptarët për herë të parë me luftën antifashise e tyre u imponuan si subjekt e faktor ndërkombëtar dhe nuk lejuan të trajtoheshin si më parë në kulisat e politikës e të diplomacisë të Fuqive të Mëdha që vendosnin për fatin e tyre dhe të Shqipërisë pa i pyetur e duke i nëpërkëmbur. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe rreshtimi krahas Aleatëve të Mëdhenj të Kombeve të Bashkuara forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e shpëtoi atë nga disa përpjekje që u bënë pas Lufte për t’i cenuar integritetin territorial dhe ndërhyrjen në punët e brendshme. 

QËNDRONI TË LIDHUR