Arrestohen 18 persona lidhur me incidentet për Ditën e Flamurit Shqiptar, katër janë në paraburgim, informoi Toshkovski
- – Ministria e Punëve të Brendshme deri më tani ka arrestuar 18 persona lidhur me incidentet në Ditën e Flamurit Shqiptar, prej të cilëve katër janë në paraburgim, përderisa për dhjetëra janë ngritur procedura kundërvajtëse për shkak të “tërbimit” në rrugë dhe kaosin në komunikacion i cili u shkaktua, informoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pas takimit të sotëm dypalësh me homologun e tij boshnjak, Nenad Neshiq.
- Post By Fitore Curri
- 14:40, 4 dhjetor, 2024
Shkup, 4 dhjetor 2024 (MIA) – Ministria e Punëve të Brendshme deri më tani ka arrestuar 18 persona lidhur me incidentet në Ditën e Flamurit Shqiptar, prej të cilëve katër janë në paraburgim, përderisa për dhjetëra janë ngritur procedura kundërvajtëse për shkak të “tërbimit” në rrugë dhe kaosin në komunikacion i cili u shkaktua, informoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pas takimit të sotëm dypalësh me homologun e tij boshnjak, Nenad Neshiq.
Toshkovski bëri thirrje për arsye dhe mençuri, dhe porositi se MPB me vendosmëri do të përgjigjet kundër të gjithëve të cilët do të bëjnë përpjekje ta shkelin dinjitetin e qytetarëve të Maqedonisë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për përdhosje të simbolit shtetëror të Maqedonisë ose të ndonjë vendi fqinj. Shfaqi shpresë se bëhet fjalë për raste të izoluara, duke pasur parasysh atë se autorët e veprave penale ishin të rinj, por siç tha “nuk më duket gjë e tillë”.
“Kemi ndërhyrë në mënyrë adekuate, me shpejtësi dhe me përgjegjësi si Ministri e Punëve të Brendshme. Po hetojmë gjithçka që ka të bëjë me këto ngjarje, në drejtimin nëse kanë ndodhur dhe si kanë ndodhur, qoftë nga aspekti i motivit, apo nga aspekti i veprimeve që janë kryer. Ne iu përgjigjëm me vendosmëri njëlloj të gjithëve. Gjatë ditës së parë, gjatë festës, ne arrestuam tetë persona. Tre prej tyre përfunduan në paraburgim për djegien e flamurit maqedonas. Të nesërmen arrestuam edhe tre të tjerë në Prilep për djegien e flamurit shqiptar. Arrestuam një person në Kumanovë për përdhosje të simbolit shtetëror të Republikës së Serbisë. Ne kemi arrestuar edhe një person në Kërçovë për përdhosje të flamurit maqedonas dhe shqiptar. Dhe gjatë ditës së djeshme, gjegjësisht pardje, kemi arrestuar edhe një person tjetër i cili është kapur duke djegur flamurin shqiptar në Shkup dhe jam informuar se edhe atij në procedurë të mëparshme i është shqiptuar masa e paraburgimit”, tha Toshkovski.
Lidhur me automjetet të cilat ishin djegur në Kumanovë një ditë pas festimit të Ditës së Flamurit Shqiptar, Toshkovski tha se nuk mund të tregojë informacione konkrete, sepse lënda ende është në fazën parahetimore, por tha se bëhet fjalë për grup të organizuar mirë.
“Për momentin nuk mund të përgjigjem më shumë për ngjarjen penalo juridike në fjalë. Kur do të kemi informacione që mund ta ndajmë me publikun, do ta bëjmë. Po punojmë edhe për atë rast. Po, është e vërtetë që është një grup i organizuar mirë. Nuk do të doja të supozoja në këtë pikë. Kishte supozime që u ndanë me publikun nga anë të ndryshme. Ndoshta ka të bëjë me mosdhënien e disa gjërave nga e kaluara, ndoshta ka të bëjë me nxitjen e historisë në të njëjtën pjesë që diskutuam deri më tani, ndoshta është për arsye të treta, nuk e di. Në këtë moment mendoj se nuk do të ishte me vend të flitej me informacione të sakta sepse ende jemi në fazën e hetimeve paraprake”, tha Toshkovski.
Interpelancën, të cilën e parashtroi BDI-ja opozitare, ministri e vlerësoi si “përpjekje e ulët për manipulim të publikut”, duke theksuar se Kuvendi do të veprojë siç vlerëson. Tezat e opozitës në periudhën e kaluar tha janë kontradiktore.
“Qytetari maqedonas, populli maqedonas e di shumë mirë se çfarë qëndron pas kësaj interpelance sa i përket kërkesës së tyre. Urime. Kuvendi do të veprojë në drejtim të asaj që vlerëson. Sinqerisht mendoj se kjo është një përpjekje e ulët për të manipuluar publikun”, tha ministri. fc/
Fotografia: MIA