• e hënë, 23 dhjetor 2024

Angellov: Nga qershori deri në tetor janë regjistruar 2 082 zjarre, pjesa më e madhe e tyre janë shkaktuar nga djegia e kashtës

Angellov: Nga qershori deri në tetor janë regjistruar 2 082 zjarre, pjesa më e madhe e tyre janë shkaktuar nga djegia e kashtës

Shkup, 16 tetor 2023 (MIA) - Gjithsej 2082 zjarre ka evidentuar Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) nga muaji qershor deri më ditën e sotme. Numri më i madh i tyre, 778 zjarre në ambient të hapur ka pasur në shtator, ndërsa në gjysmën e parë të tetorit kjo shifër arrin 454. Sipas drejtorit të QMK-së, Stojançe Angellov pjesë ma e madhe e zjarreve janë shkaktuar nga djegia e kashtës.

Në pjesëmarrjen e sotme në televizionin Sitel, drejtori Angellov theksoi se arsyeja kryesore për 52 zjarre aktive në hapësirë ​​të hapur që janë evidentuar gjatë ditës së djeshme është thatësira.

"Arsyeja kryesore është thatësira, prej disa muajsh nuk ka rënë shi dhe në disa pjesë të vendit, shiu ka qenë shumë i dobët. Bimësia është shumë e thatë, temperaturat e ditës janë ende të larta. Kjo është një nga arsyet kryesore të paraqitjes së zjarreve dhe ka qenë e vështirë shuarja e tyre. Nëse kësaj i shtohet edhe era që vazhdimisht fryn dhe ndryshon drejtimin e saj, kemi më shumë arsye për vendosjen e kontrollit", sqaroi ai.

Angellovi thotë se shifrat janë alarmante dhe të pazakonta për këtë periudhë të vitit.

"Në qershor kemi pasur vetëm 18 zjarre në ambient të hapur, qytetarët e dinë mirë, qershori ishte një muaj mjaft me shi. Në korrik 210 zjarre, në gusht 622 zjarre dhe në shtator që është gjithashtu jotipike, 778 zjarre në ambient të hapur. Në tetor me ditën e sotme kemi 454 zjarre. Gjithsej 2082 zjarre nga qershori deri më tani, një situatë pra alarmante", thotë ai.

Në pyetjen se nëse këto zjarre janë të qëllimshme, Angellov tha se kanë dyshime për një numër të caktuar.

"Kemi dyshime për një numër të caktuar se janë të qëllimshme, megjithëse, definitivisht, perceptimi im personal i cili bazohet në biseda të shumta me zjarrfikësit dhe popullatën lokale në vendet e zjarrit është se shumica e tyre janë shkaktuar nga djegia e kashtës, gjegjësisht mbetjet e drithërave që qytetarët i kanë djegur për t'u liruar nga to, duke shkaktuar zjarre pa dashje", tha ai.

 

QËNDRONI TË LIDHUR