• e hënë, 23 dhjetor 2024

Analiza e ISK-së: Mungesa e transparencës institucionale rrit rrezikun prej dezinformatave

Analiza e ISK-së: Mungesa e transparencës institucionale rrit rrezikun prej dezinformatave

Shkup, 11 prill 2023 (MIA) - Mungesa e transparencës së plotë institucionale nënkupton shkurtim të së drejtës së qytetarëve për qasje deri te informatat, gjegjësisht margjinalizimin e tyre nga proceset vendimmarrëse dhe politikëbërëse, vlerësohet në analizën “Roli i transparencës institucionale në përballjen me dezinformatat dhe spekulimet në Maqedoninë e Veriut”, që e përpiloi Instituti për Studime të Komunikimit.

"Këto tendenca jo vetëm që i pengojnë qytetarët të ndjekin vendimmarrjen në qeveri në mënyrë të informuar, por edhe rrisin rrezikun nga dezinformatat. Mungesa e transparencës institucionale mund të çojë në përhapjen e dezinformatave për çështje jashtëzakonisht të rëndësishme me interes publik", thuhet në dokumentin.

Analiza fokusohet në raportin mes pushtetit të hapur dhe llogaridhënës, kundrejt përhapjes së informacioneve të gabuara dhe dezinformatave që gjithmonë varrosin besimin tek institucionet shtetërore, me ç'rast i vë në dukje edhe politikat dhe standardet evropiane dhe ndërkombëtare në luftën kundër dezinformatave.

"Transparenca e institucioneve nuk guxon të barazohet me “formale juridike dhe teknike” dhe nuk guxon të favorizojë imazhin personal të bartësit të postit duke e deklaruar atë si transparencë. Gjithashtu, ajo nuk mund të kufizohet vetëm në konferencat për media, ueb-faqet e (jo)përditësuara, disponueshmërinë e zëdhënësve apo matjen e indekseve të transparencës. Kur njerëzit nuk kanë qasje deri te të gjitha faktet, ata bëhen të prirë që t'u besojnë spekulimeve dhe informacioneve të gabuara", bëhet e ditur në analizën.

Autorët bëjnë të ditur se lufta kundër dezinformatave është një proces kompleks me të cilin nuk mund të përballen vetë mediat, por as institucionet, organizatat civile, e aq më tepër vetë qytetarët, prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme nxitja e politikave sistemore që promovojnë arsimim të përgjithshme, por edhe mediatik dhe të menduarit kritik.

"Krahas kësaj, është kyçe të përkufizohet qartë dezinformatat në mënyrë që të shmanget dyshimi në miratimin e politikave dhe masave për parandalimin e përhapjes së dezinformatave, por edhe rreziku që ato të keqpërdoren për të mbyllur gojën e opinioni kritik dhe për të kufizuar lirinë e fjalës dhe lirinë redaktuese të gazetarëve", konsiderojnë autorët e analizës.

Në hulumtimin theksohet se zhvillimi dhe përhapja e teknologjive informatik dhe të komunikimit, ndër të tjera, ka sjellë rritje të ndikimit të dezinformatave me pasoja të mëdha politike në shoqëritë demokratike në mbarë botën.

- Në epokën digjitale, dezinormatat mund të përhapen shpejt dhe të shkaktojë dëm të konsiderueshëm, të minojë besimin te institucionet dhe të sjellin përhapje të informacioneve të rrejshme me pasoja potencialisht të rënda. Kjo është bërë veçanërisht e dukshme në vitet e fundit, gjatë pandemisë Covid-19 dhe luftës në Ukrainë, shtohet analiza.

Në hulumtim, theksi vihet në dy entitete kryesore shoqërore, institucionet e pushtetit qendror dhe mediat dhe në përgjithësi synimi i tij është të “zbulojë” nëse dhe sa mund të kontribuojë (mos)transparenca e institucioneve në ( lufta kundër) përhapjes së dezinformatave.

"Njohuritë e hulumtimit bëjnë të ditur për sfida të shumta, si në planin normativo-juridik, ashtu edhe në atë organizativ dhe teknologjiko-teknik. Në tejkalimin e këtyre sfidave, udhëzime të dobishme ofron qasja gjithëpërfshirëse e BE-së në përballjen me dezinformatat, si dhe normat dhe aktet e përgjithshme të BE-së për transparencë institucionale dhe luftën kundër korrupsionit. Rekomandimet e tyre janë në drejtim të: forcimit të rezistencës së shoqërive demokratike kundër dezinformatave, mbështetjen e medias së lirë dhe të pavarur dhe gazetarisë cilësore, promovimin e transparencës dhe përgjegjësisë në platformat dhe reklamat onlajn, forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet vendeve anëtare të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, fuqizimin e qytetarëve përmes përmirësimit të arsimimit mediatik dhe shkathtësive për të menduarit kritik", bën të ditur studimi.

Sipas autorëve, transparenca konsiderohet si një nga parakushtet e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe imponohet si kundërpeshë ndaj dezinformimit, për shkak të rolit të saj në hapjen, ndërtimin e besimit, parandalimin e informacionit të rremë dhe promovimin e informacionit të saktë dhe të hapur.

"Në kushtet e transparencës dhe hapjes institucionale, reduktohet mosbesimi institucional dhe hapësira për përhapjen e dezinformatave. Kjo nuk do të thotë se ajo hapësirë mund të eliminohet plotësisht, sepse në përhapjen e dezinformatave luajnë rol edhe një varg aktorësh dhe procesesh të tjera të ndërthurura shoqërore, të cilat shpesh nuk kufizohen në kuadër të kufijve shtetërorë. Prandaj, rritja e transparencës institucionale është hapi logjik që mund të ndërmerret për të reduktuar ndikimin e dezinformatave, bëhet e ditur në hulumtimin.

Analiza është përpiluar në kuadër të projektit “Përdorimi i gazetarisë së bazuar në fakte për ngritjen e vetëdijes dhe kundërshtimit   të dezinformatave në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut”, që realizohet me mbështetjen e Ambasadës britanike në Shkup.

Foto: Print skrin

QËNDRONI TË LIDHUR