Aliu në Turqi e vizitoi spitalin e qytetit "Ankara - Bilkent", ku ishin trajtuar gjashtë nga të lënduarit në Koçan
- - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, gjatë vizitës së tij zyrtare në Republikën e Turqisë, vizitoi spitalin e qytetit "Ankara - Bilkent", ku ishin pranuar dhe trajtuar gjashtë persona të lënduar nga ngjarja në Koçan, informoi Ministria e Shëndetësisë.
- Post By Fitore Curri
- 13:29, 27 nëntor, 2025
Shkup, 27 nëntor 2025 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, gjatë vizitës së tij zyrtare në Republikën e Turqisë, vizitoi spitalin e qytetit "Ankara - Bilkent", ku ishin pranuar dhe trajtuar gjashtë persona të lënduar nga ngjarja në Koçan, informoi Ministria e Shëndetësisë.

Në kuadër të vizitës, ministri u takua me dr. Ali Emre Akgun dhe dr. Merve Akin, të cilët e informuan për të gjithë procesin e trajtimit – nga pranimi e deri te përfundimi i mjekimit të pacientëve.
“Me Republikën e Turqisë kemi bashkëpunim shumë të mirë në fushën e shëndetësisë, dhe pikërisht ata ishin ndër të parët që ofruan ndihmë për hospitalizimin e personave të lënduar nga zjarri në Koçan. Këtu, në spitalin e qytetit Ankara Bilkent, u hospitalizuan gjashtë pacientë, për të cilët u sigurua trajtim i shkëlqyer nga ekipet mjekësore sipas standardeve evropiane. Me drejtuesit e spitalit diskutuam për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të mëtejshëm të përvojave", theksoi ministri Aliu gjatë vizitës.

Ministri Aliu shprehu mirënjohje të veçantë ndaj drejtuesve dhe ekipeve mjekësore të spitalit për përkushtimin e jashtëzakonshëm në kujdesin dhe trajtimin e personave të lënduar nga tragjedia në Koçan. fc/
Foto: MSH