• e hënë, 23 dhjetor 2024

Albanian Post: Franca, Gjermania dhe Italia kërkojnë shtyrjen e vendimit për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Albanian Post: Franca, Gjermania dhe Italia kërkojnë shtyrjen e vendimit për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Prishtinë, 7 maj 2024 (MIA) - Franca, së bashku me Gjermaninë dhe Italinë, kërkon që të shtyhet vendimi për kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës në takimin e majit të Komitetit të Ministrave, shkruan Albanian Post i Tiranës, duke iu referuar burimeve diplomatike.

Sipas të njejtave burime, nesër në Strasburg pritet të mbahet takimi i fundit i ambasadorëve të vendeve para takimit të ministrave, ku pritet  të merret vendimi i shumëpritur për Kosovën.

Siç mëson Albanian Post, pritet nesër në rendin e ditës së takimit ministror të majit, ambasadorët e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës të mos e përfshijnë çështjen e anëtarësimit të Kosovës.

Sipas portalit, "ndonëse qëndrimi gjerman nuk ka qenë i qartë deri në këtë moment, tashmë duket qartë se edhe Gjermania mban qëndrim se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti duhet të ndërmarrë hapa konkretë në çështjen e Asociacionit së komunave me shumicë serbe (AKSHS) për të fituar anëtarësim në Këshillin e Evropës".

Franca, Gjermania dhe Italia tashmë janë të qëndrimit se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës mund të shtyhet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të dëshmojë përkushtimin e saj për zbatim të Asociacionit, duke dërguar draftin në Gjykatën Kushtetuese.

Në shkrimin shtohet, se këtë qasje nuk e ka mbështetur edhe Mbretëria e Bashkuar, sipas së cilës, çështja e AKSHS-së si produkt i bisedimeve të Brukselit nuk duhet të ngatërrohet me çështjen e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Megjithatë, përkundër retorikës politike të Qeverisë së Kosovës, e cila vazhdimisht theksonte faktin se Kosova i plotësoi të gjitha kushtet e nevojshme për pranim në Këshillin e Evropës, madje sipas opinionit të përgatitur nga Dora Bakojani, vendet me ndikim vendimtar si Franca dhe Italia e kanë njoftuar Kurtin kohë më parë se fillimi i hapave të rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes për  AKSHS-së është kusht i patejkalueshëm për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ndërkohë, Ambasada gjermane në Prishtinë sot kumtoi se është koha që Qeveria e Kosovës t'i bindë shtetet anëtare të Këshillit të Evropës se e meriton pranimin në atë organizatë ndërkombëtare, duke ndërmarrë hapa konkretë drejt krijimit të AKSHS-së. Ambasada gjermane kumtoi se grupi Kuintit dhe të tjerët vazhdimisht theksojnë se presin që Kosova të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e AKSHS-së, në mënyrë që të arrihet shumica e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Ministrave, transmetuan mediat e Prishtinës.

Një reagim sot ka mbërritur edhe nga Ambasada e Francës në Kosovë, e cila kumtoi se me dërgimin e draft-statutit të AKSHS-së në Gjykatën Kushtetuese, Kosova do të marrë mbështetje për pranim në Këshillin e Evropës. Në përgjigje të pyetjes së parashtruar nga kohe.net, nga ambasada thonë se ky draft statut është baza më e mirë që ofrohet për themelimin e AKSHS-së.

“Dërgimi i drafstatutit për Asociacionin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese është përmendur si një nga hapat e qartë që Kosova duhet t’i ndërmarrë për të siguruar mbështetje në Këshillin e Evropës, por kryeministri Kurti ka deklaruar se Kosova nuk e ka pranuar atë plan si të ndarë nga nga plani i përgjithshëm(Bruksel dhe Ohër). Dërgimi i drafstatutit për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte hap i mirëpritur për të siguruar mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në përgjigje të kësaj ambasade.

Këshilli i Komitetit të ministrave të Punëve të Jashtme të KE-së, i cili do të mbahet në mes të majit, është hapi i fundit i anëtarësimit eventual të Kosovës në këtë organizatë, që u rekomandua nga Asambleja parlamentare e KE-së në bazë të raportit të mirtuar të raportueses Dora Bakojani.

Për momentin, ende nuk është e sigurt nëse votimi i rekomandimeve të APKE-së dhe pranimi i Kosovës do të jenë në rendin e ditës së Komitetit të Ministrave më 16 dhe 17 maj. ls/

Foto: Arkiv

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR