Alarm ajror në Rumani për shkak të një sulmi të mundshëm rus në afërsi të kufirit me Ukrainën
- Banorët e lagjeve rumune Tulça dhe Konstanca kanë marrë njoftim paralajmërues për mundësinë e rënies së objekteve nga ajri mbrëmë përmes sistemit "Ro-Alert", transmeton Dixhi24.
Bukuresht, 8 shtator 2024 (MIA) - Banorët e lagjeve rumune Tulça dhe Konstanca kanë marrë njoftim paralajmërues për mundësinë e rënies së objekteve nga ajri mbrëmë përmes sistemit "Ro-Alert", transmeton Dixhi24.
“Rrini të qetë. Strehohuni në bodrume ose strehimore të mbrojtjes civile. Nëse strehimi nuk është i disponueshëm, qëndroni brenda, larg dritareve dhe mureve të jashtme. Kohëzgjatja e parashikuar: 90 minuta”, thuhet në mesazhin e dërguar disa minuta para orës tre të mëngjesit.
Dixhi24 thekson se kjo është hera e parë që një njoftim i tillë i dërgohet qarkut Konstanca. Të tilla paralajmërime kanë marrë deri më tani banorët e Tulçës, Brailës dhe Galacit.
“Njoftimi është dërguar mbrëmë, pasi strukturat kombëtare të mbrojtjes dhe sigurisë kanë vërejtur një sulm të mundshëm nga Federata Ruse ndaj disa objektivave në territorin e Ukrainës, pranë kufirit me Rumaninë. Në të përcillen informacione për të paralajmëruar dhe informuar popullatën për mundësinë e rënies së objekteve nga hapësira ajrore dhe masat për strehim nëse e kërkon situata”, theksoi Inspektorati eEmergjent i Tulçës. Ata deklaruan se këto njoftime synojnë të informojnë popullatën e zonës kufitare të Rumanisë.
Vitin e kaluar, Rumania njoftoi disa herë për mbetjet e gjetura të dronëve rusë në territorin e saj pas sulmeve ndaj objektivave ukrainas në bregun e kundërt të lumit Danub, kujtojnë mediat lokale. mb/