Ahmeti: Vendimi më i mençur do të jetë të hidhen poshtë nismat për Ligjin e gjuhëve
- Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, i cili sot para fillimit të seancës së Gjykatës Kushtetuese u drejtua vetëm në gjuhën shqipe, tha se vendimi më i mençur do të jetë të hidhen poshtë 13-të nismat e dorëzuara për Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
- Post By Sara Ademi
- 15:41, 11 dhjetor, 2024
Shkup, 11 dhjetor 2024 (MIA) - Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, i cili sot para fillimit të seancës së Gjykatës Kushtetuese u drejtua vetëm në gjuhën shqipe, tha se vendimi më i mençur do të jetë të hidhen poshtë 13-të nismat e dorëzuara për Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
"Duam paqe, duam stabilitet, erdhëm këtu si familje, nuk erdhëm për t'u ndeshur, por ta dëgjojmë zërin e arsyes. Çdo vendim i pamenduar, i pamatur do të shkaktojë revoltë dhe indinjatë te shqiptarët sepse po mohoet një e drejtë për të cilën janë bërë shumë sakrifica ndër shekuj. Nuk duam që njerëzit të cilët janë brenda, duke e shpërfillur plotësisht vullnetin e shumicës së madhe shqiptare, ta marrin vendimin më të keq për të na vënë në situatë se në cilën rrugë do të vazhdojmë prej andej", tha lideri i BDI-së.
Ai tha se të gjithë së bashku shqiptarë, maqedonas, turq, vlleh, boshnjakë, romë dhe serb të punojnë për të promovuar paqe dhe respekt të ndërsjellë.
"Ta ruajmë paqen, stabilitetin, të kemi marrëdhënie të mira ndëretnike sepse nuk mund të ndryshohet as gjeografia, as historia. Të ndërtojmë me respekt për njëri-tjetrin, një komunitet për tjetrin dhe të gjitha komunitetet së bashku. Nuk na duhet që e kaluara të na kthehet. Së bashku duhet të ndërtojmë shoqërinë më të qëndrueshme dhe më të begatë për të gjithë ne", tha kreu i BDI-së.
Pas deklaratës së Ahmetit, nënkryetari i partisë Bujar Osmani dha një deklaratë në gjuhën maqedonase ku paralajmëroi se transkriptimi i fjalimit të liderit të partisë do t'u dërgohet mediave.
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut sot vendosi të mbajë seancë përgatitore për debatin për nismat e vlerësimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve. sa/
Foto: Fejsbuku i BDI-së