• e shtunë, 23 nëntor 2024

Ahmeti: Ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e presidentit në Kuvend dhe përfshirjen e bullgarëve ose BDI nuk do të marrë pjesë në qeveri

Ahmeti: Ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e presidentit në Kuvend dhe përfshirjen e bullgarëve ose BDI nuk do të marrë pjesë në qeveri

Shkup, 22 shkurt 2024 (MIA)- Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti në video fjalimin e sotëm nga selia e kësaj partie në Reçicë të Vogël u bëri thirrje qytetarëve të bëhen bashkë për referendumin më të rëndësishëm të kohës: t'i thuhet JO Rusisë, PO Evropës dhe të zgjidhet presidenti dhe zëvendëspresidenti me 2/3 e votave dhe me shumicë të dyfishtë të Badenterit në Kuvend.

Sipas Ahmetit hapja e Kushtetutës për çështjen e presidentit do të mundësojë edhe miratimin e marrëveshjes së fqinjësisë së mirë dhe vazhdimin e integrimit evropian.

"Zgjedhjet që kemi para nesh, parlamentare dhe presidenciale, janë të një rëndësie vendimtare në këtë betejë. Prandaj dhe në këto zgjedhje kemi vendosur që të kërkojmë nga ju të qëndrojmë bashkë, të rreshtoheni me ne në kërkesën për ndryshimin e kushtetutës dhe zgjedhjen e presidentit dhe zëvendëspresidentit të shtetit në Kuvend, përfshirjen e komunitetit bullgar dhe të tjerëve në Kushtetutë si dhe t’i themi JO Rusisë, PO Evropës, Para jush, po bëj zotimin e njëmendtë, qe ne nuk do të jemi pjesë e asnjë qeverie e cila nuk e ndryshon kushtetutën dhe do të dalim në opozitë për t'i luftuar dhe mposhtur këto kërcënime ekzistenciale për vendin tonë", porositi Ahmeti. 

Ai poashtu bëri të ditur se Bujar Osmani, ministër aktual për Punë të Jashtme do të jetë kandidat i BDI-së për president nga radhët e kësaj partie.

“Bujari t’i prijë këtij ndryshimi që ne e kërkojmë edhe në programin tonë të vitit 2016 edhe atë të vitit 2020. Bujari ka dëshmuar veten në skenën vendore dhe ndërkombëtare dhe ka ngadhënjyer në betejën kundër Rusisë dhe ka qenë pjesë e jonë e ndryshimit të Kushtetutës dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në BE. Me Bujarin po e nisim referendumin më të rëndësishëm të kohës dhe betejën e radhës për ta fituar besimin tuaj që ta zgjedhim presidentin në Kuvend me shumicë të dy të tretave të votave dhe me Badenter, për të realizuar vizionin tonë për president konsensual", ka thënë Ahmeti. 

Foto: printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR