• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ahmeti: Është me rëndësi të madhe ndryshimi i Kushtetutës, që vendi të anëtarësohet në BE

Ahmeti: Është me rëndësi të madhe ndryshimi i Kushtetutës, që vendi të anëtarësohet në BE

Shkup, 19 mars 2024 (MIA) - Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha sot se vazhdojnë negociatat me të gjitha partitë që nuk janë pjesë e opozitës shqiptare për arritjen e marrëveshjes së koalicionit për anëtarësim në Frontin Evropian.

"Ka kohë, jemi ende në negociata me palët e tjera. Është një proces i hapur prej kohësh. Ne besojmë që në të ardhmen ashtu siç e bëmë këtë ngjarje të rëndësishme, siç tha edhe Zejdi, ngjarje historike, të vazhdojmë edhe në ditët në vijim... Po flasim me të gjithë me Aleancën, me Thaçin dhe me Arianit Hoxhën si dhe me Partinë Turke, me Partinë Boshnjake, me Partinë Rome që t'i bashkohet këtij fronti", tha Ahmeti në pyetjen e një gazetari pas promovimit të marrëveshjes së koalicionit me Lëvizjen Popullore të Skender Rexhepi Zejd.

I pyetur në lidhje me Ligjin për masat kufizuese pas shtimit të fundit në “listën e zezë” të Departamentit Amerikan të Shtetit, Ahmeti tha se ligji është në Kuvend, por është i bllokuar dhe shprehu besimin se do të kalojë në të ardhmen.

"Ne nuk e kundërshtojmë vendimin e Departamentit të Shtetit absolutisht dhe do të pranojmë çdo vlerësim të bërë nga Departamenti i Shtetit. SHBA-ja është partneri strategjik më i rëndësishëm për ne, siç është edhe BE-ja", tha Ahmeti i pyetur për kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, i cili po ashtu është në “listën e zezë” të SHBA-së dhe është ende aktiv.

Në lidhje me atë se a do ta pranonte Izet Mexhitin nëse ndërron mendje dhe kthehet në frontin evropian, Ahmeti i ka thënë që “punën ta kryejë si burrë”.

Në kuadër të deklaratës së Kreshnik Bekteshit me të cilën i ka dërguar sfidë atij që humb zgjedhjet të tërhiqet nga politika, si dhe nëse BDI i humb zgjedhjet apo ndoshta nuk do të formojë qeveri do të tërhiqet nga politika, Ahmeti iu referua propozimit të dhënë vitin e kaluar ndaj VMRO-DPMNE-së se BDI është e gatshme të largohet nga Qeveria në të njëjtën ditë kur të hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese, nëse kjo është parakusht që opozita të mbështesë amendamentet kushtetuese.

"Është e rëndësishme të ndryshohet Kushtetuta për t'iu bashkuar BE-së. Ne jemi këtu për mision, dhe misioni ynë është BE-ja", tha ndër të tjera Ahmeti.

I pyetur se ku bazohen akuzat e partisë, të cilat paralajmërojnë një skenar rus dhe se do të kontribuojë në trazira politike në vend pas 8 majit, kreu i BDI-së vuri në dukje agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës.

"Varet me çfarë sy i shohim gjërat. Por, kur Rusia kërcënon paqen botërore duke kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore, Rusia bën luftë dhe bombardon një shtet sovran siç është Ukraina, ne në Ballkanin Perëndimor nuk mund të rrimë të qetë. Domethënë, në fjalën time theksova se në vendin tonë ka parti që janë themeluar nga Aleksandar Dugin, i cili është kreu i politikës ruse dhe ju e dini mirë këtë. Ka media, ka televizione, e kujt nuk i pëlqen paqja dhe stabiliteti në Maqedoni dhe në Ballkan? Natyrisht, Rusia dëshiron të ketë vatrat ushtarake kudo për të zgjeruar pushtimin që i ka bërë Ukrainës", thotë Ahmeti. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR